Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikimit të armëve, arrestohet 30-vjeçari Françesk Mecaj me precedentë të theksuar kriminalë

Një operacion i koduar “Dërgesa”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza Italiane, ka çuar në goditjen e një rrjeti të trafikimit ndërkombëtar të armëve të zjarrit. Si rezultat, është arrestuar 30-vjeçari Françesk Mecaj nga Malësia e Madhe, i cili dyshohet se dërgonte armë drejt Italisë, duke përdorur mikrobuzë transporti pasagjerësh.
Operacioni, i koordinuar mes DVP Lezhë, DVP Shkodër dhe Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane, u finalizua me kapjen e 5 armëve automatike të tipit kallashnikov, qindra fishekëve dhe 4 krehrave. Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua një mikrobuz i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë.
Në pranga u vunë dy shoferët e mikrobuzit, shtetasit E. M. dhe A. D., të cilët janë shoqëruar nga Policia Italiane. Hetimet e thelluara të Policisë së Lezhës bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e organizatorit të kësaj skeme, 30-vjeçarin, Françesk Mecaj, banues në Hot të Malësisë së Madhe.
Sipas policisë, i arrestuari, me precedentë të theksuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike, dyshohet se siguronte armë dhe municione për palë të treta në Bashkimin Evropian, duke i fshehur ato në valixhe me sende të ndryshme. Ai ishte dënuar dy herë më parë si kreu i një grupi kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s, afër Milanos.
Operacioni vijon në Shqipëri dhe Itali për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, përfshirë edhe pritësin e armëve. Materialet procedurale ndaj F. M. i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, ku ai akuzohet për veprën penale “Trafikim i armëve dhe municioneve luftarake”.
/rtsh.al/