E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditja e fundit për Kastron: largohen pasardhësit e regjimit

Gazeta Shqip

Glenda Murillo është vajza e Carit të reformave. Ajo ka hedhur në Facebook fotografi të bëra në Tampa

Reforma nuk ka, por mendimi se një prej vajzave të Carit të reformave në Kubë ka braktisur vendin dhe është larguar për në Shtetet e Bashkuara, është një goditje e madhe për imazhin e rinovimit të regjimit që Raul Kastro është përpjekur ta bëjë gjatë këtyre viteve të fundit. Glenda Murillo, 24 vjeçe, bija e zëvendëspresidentit kuban Marino Murillo, ka kaluar në Laredo, Teksas, kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, për të shkuar në Tampa, ku jeton prej vitesh tezja e saj. Largimi i Glendas ka ndodhur më 16 gusht të këtij viti. Vajza kishte ardhur në Meksikë për të marrë pjesë në një kongres të psikologjisë. Lajmi u bë i ditur prej Miami Herald News, nga burime të afërta të familjes. Javën e kaluar, në rrjetin social Facebook u hap një adresë me të dhënat e Glenda Murillos, ku vajza e përshkruan veten si një studente e psikologjisë në Universitetin e Havanës, e ku janë publikuar fotografi të bëra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtëpinë e tezes në Tampa dhe në Shën Petersburg. Glenda nuk ka kërkuar dhe nuk ka marrë ndonjëherë vizë për të vizituar Shtetet e Bashkuara, kështu duke hyrë nga Meksika, mund të ketë përfituar nga ligji i veçantë amerikan kur qeveritarët kubanë largohen nga ishulli.

Babai i Glendas është një prej drejtuesve më të rëndësishëm të nomenklaturës kubane. Marino Murillo, 54 vjeç, me profesion ekonomist, është zëvendëspresident i organit më të lartë të pushtetit, Këshillit të Shtetit, si dhe anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste. Vitin e kaluar, Raul Kastro i besoi rolin e përgjegjësit të programit të reformave ekonomike, arsyeja që të gjithë në ishull e njohin me nofkën Cari i reformave. Murillo vjen nga ushtria dhe bën pjesë në grupin e ri të drejtuesve të zgjedhur nga Raul për rinovimin e shtresës së lartë të pushtetit. Karriera e tij ka qenë shumë e shpejtë për standardet kubane. Nga ministër i Tregtisë në vitin 2006, kaloi te planifikimi ekonomik dhe në fund te posti i zëvendëspresidentit, duke u bërë kështu një prej njerëzve më të besuar të udhëheqësit të ri kuban.

Në historinë e gjatë të revolucionit kastrist, janë të shumtë rastet e fëmijëve të nomenklaturës që kanë zgjedhur të jetojnë jashtë, si duke kundërshtuar hapur rregullat e regjimit, ashtu edhe duke u larguar fshehtas nga ishulli. Ndër rastet më të famshme është ai i Alina Fernandez, vajza e paligjshme e Fidelit, që u largua fshehtas nga Kuba në vitin 1993 kundër dëshirës së të atit; dhe ai i Ramiro Valdès i ri, djali i Ramiro Valdès, një nga njerëzit më të afërt të Fidel Kastros. Lista e largimit të fëmijëve të zyrtarëve nga Kuba është e gjatë e mes të tjerëve përfshin edhe Glenda Murillon, e cila shfaqet në një fotografi me një mikeshën e saj (kjo e fundit është mbesë e Çe Gevarës), fëmijët e Juan Almeida (Spanjë dhe Meksikë), ata të Eusebio Leal (Spanjë), e madje mbesa e Celia Sanchez, sekretarja legjendare, e dashura dhe mikesha e ngushtë e udhëheqësit kuban.

Lourdes, mbesa e Celia dhe ish-gruaja e të birit të Çe-së është pronare e një restoranti në Marbelë, Spanjë.

Goditja e fundit për Kastron: largohen pasardhësit e regjimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›