E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujësjellësi: Kontrata, në dorë të konsumatorit

Shpresa Mezini

Drejtoria e UKT, Tiranë: Nuk ka ndërprerje, qytetarët ankohen për furnizimin me ujë

Shpresa Mezini

Shkrimi i publikuar dy ditë më parë në gazetën Shqip mbi ankesat e qytetarëve lidhur me çmimin e ujit, apo mungesën e kontratës nga ana e UKT-së, ka nxitur një debat në radhët e opinionit publik dhe reagim të ashpër nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve. Kjo e fundit sqaron në një reagim zyrtar, se në bashkëpunim me Entin Rregullator të Ujësjellësit, prej një viti është miratuar një kontratë tip, që njeh të drejtat dhe detyrimet mes individit dhe këtij institucioni. Madje, në të theksohet se Drejtoria e Ujësjellësit nuk i detyron qytetarët ta nënshkruajnë atë me patjetër, duke e lënë plotësimin e saj në varësi të dëshirës së tyre, ndonëse është i vetmi dokument që lidh marrëveshjen mes institucionit dhe konsumatorit. Kështu, sipas informacioneve, nga kjo drejtori kontrata ekziston, ndonëse qytetarët në masë pohojnë se nuk kanë nënshkruar asnjëherë kontratë me këtë institucion. E megjithatë, shqetësimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me mungesën e kontratës, për shkak se ato nuk kanë fare njohuri për këtë pjesë, edhe pse Drejtoria e Ujësjellësit këmbëngul se është zhvilluar një fushatë promocionale dhe se janë bërë njoftime të panumërta derë më derë, me qëllim informimin e qytetarëve mbi kontratat e reja me këtë institucion. Kryefamiljarët ngrenë shqetësimin për çmimin e ujit, për mbifaturimet që, sipas tyre, janë abuzive, për shkak se nuk korrespondojnë me konsumin faktik, por jo vetëm. Lidhur me këtë pretendim të qytetarëve, ai që i çon ata për çdo ditë në dyert e këtij institucioni, Drejtoria e Ujësjellësit, thotë se janë të vetmit që kanë denoncuar faturistët, të cilët kanë abuzuar me përcaktimin e pagesës së tyre. Banorët e kryeqytetit ankohen sepse paguajnë 4 apo 5 herë më shumë që në shtator të vitit 2011 faturat e ujit të pijshëm, por që në të vërtetë nuk është i tillë. Uji që rrjedh në rubinetet e shtëpive tona nuk pihet, për rrjedhojë familjarët e blejnë atë në markete, shpenzim që u kushton atyre mesatarisht nga 15-30 mijë lekë të vjetra në muaj. Kështu, qytetarët paguajnë katërfishin e faturave të ujit për ujë të pijshëm, i cili nuk pihet, ndërsa blejnë në markete ujë të ambalazhuar me bidonë, pagesë që i barazohet me atë të konsumit të energjisë elektrike.

Fatura e ujit më ka ardhur 25 mijë e 800 lekë të vjetra për herë të parë tani në korrik-gusht. Muajt e shkuar më vinte nga 7-10 mijë lekë. Nuk e di, mund të ketë pasur edhe probleme në sahat, por si duket faturistët e mëparshëm nuk e kanë bërë punën në rregull, që të bëheshin pagesat sipas harxhimit faktik. Sdi për çfarë paguajmë. Jap lekë për ujë të pijshëm, por asnjë prej pjesëtarëve të shtëpisë sime nuk e pi, sepse është me ngjyrë dhe me shije të pakëndshme. Jap lekë që të kem ujë, por kam vetëm dy herë në ditë, 3-4 orë maksimumi. Furnizohem me depozitë, ndryshe do të ishim kalbur, tha Lefterie Hoxha.

E ndërsa banorët e kryeqytetit ankohen çdo ditë e më shumë për ndërprerjen e ujit, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellësit shton në reagimin drejtuar gazetës Shqip: Ajo që mungon në shkrimin e gazetës “Shqip” është “harresa” për të përmendur se në këtë institucion janë eliminuar ankesat për mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm! Duke qenë të hapur për të pranuar çdo kritikë, UKT-ja sjell në vëmendje se prej të paktën 2 vjetësh, Tirana është qyteti që furnizohet në mënyrë të pandërprerë me ujë. Ankesave lidhur me ndërprerjen e ujit, me rritjen e çmimit, mbifaturimet, apo faktin që është i pakonsumueshëm, i shtohet edhe një argument tjetër, ai i ngatërresës së emrave në fatura. I tillë është rasti i një zotërie që jeton në zonën e Tiranës së Re, të cilit për muaj me radhë i shkonte në shtëpi fatura e ujit që kishte numrin e sahatit të tij, por jo emrin.

Për 7 muaj me radhë, në shkallën time vinin dy fatura me të njëjtin emër, ndërkohë që mungonte fatura me emrin tim. Kështu, Drejtoria e Ujësjellësit më quante debitor, sepse nuk paguaja, duke qenë se nuk ishte emri im në faturë. Bëra ankesë në drejtori. Çova dokumentet, problemi ishte i njëjti, nuk u zgjidh përsëri. Në faturë ishte numri i sahatit tim, jo emri, madje kishte mbifaturim. Dyshova që ajo ishte fatura e komshiut, sepse kishte ndryshuar emrin dhe ishte debitor, kishte pagesë të prapambetur. Pas shumë ecejakesh, pas gati 4 muajsh, situata ndryshoi, fatura vinte në emrin tim. As vetë se di si ndodhi, por situata iu kthye normalitetit, tha zotëria me inicialet K.L.

Box

Reagim
Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, Tiranë, kërkon të sqarojë opinionin publik se shkrimi i gazetës “Shqip” me titull “Ujësjellësi nuk përgjigjet për abuzimet, nuk ka kontrata”, është abuziv dhe se nuk pasqyron me vërtetësi realitetin. Së pari, pretendimi se UKT-ja nuk u siguron kontratë qytetarëve është kryekëput një spekulim. Pas miratimit nga ERU-ja e kontratës tip, UKT-ja ka lajmëruar të gjithë qytetarët për kontratat e reja, ku përfshihen të drejtat dhe detyrimet e UKT-së dhe konsumatorëve, por UKT-ja nuk mund të detyrojë asnjë qytetar të lidhë kontratë, nëse ai nuk do që të marrë shërbimin për furnizim me ujë të pijshëm. Ajo që mungon në shkrimin e gazetës “Shqip” është “harresa” për të përmendur se në këtë institucion janë eliminuar ankesat për mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm! Duke qenë të hapur për të pranuar çdo kritikë, UKT-ja sjell në vëmendje se prej të paktën 2 vjetësh, Tirana është qyteti që furnizohet në mënyrë të pandërprerë me ujë.

Ujësjellësi: Kontrata, në dorë të konsumatorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›