“Goditja e korrupsionit mbetet prioriteti im - prokurorët që shkelin ligjin do të largohen”

Intervistë me Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla
Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, thotë se ka marrë përsipër të reformojë dhe të modernizojë punën hetimore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjatë intervistës së tij të parë në këtë detyrë, Adriatik Llalla tha për “Zërin e Amerikës” se goditja e korrupsionit është detyra kryesore e punës së tij. Ai tha se do të maksimalizojë dënimet e kriminelëve, duke mbledhur me kujdes provat e krimit, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera. Llalla deklaroi se nuk ka pasur asnjëherë presione politike dhe se çdo politikan apo zyrtar i lartë do të detyrohet sipas ligjit që të paraqitet para hetuesve, nëse hetohet për krime të dyshuara
Ju vazhdimisht nga Inspektoriati keni thënë që shumë dosje mbi pasuritë e pasakta ose mosdeklarime të pasurisë që keni konstatuar atje, janë shuar kur kanë ardhur këtu në prokurori. A do t’i jepet fund kësaj praktike të mos-hetimit të pasurive të dyshuara?
Ky është një fakt, të cilin unë e kam ngritur shpesh në media, në Kuvendin e Shqipërisë, në prokurori, kudo ku kam pasur mundësi. Mjaft dosje të kallëzuara prej nesh për zyrtarë të niveleve të ndryshme të akuzuar për korrupsion të gjetura nga ana jonë në ILDKP, me fakte provuese se ata kishin kryer vepra penale në fushën e deklarimit ose mosdeklarimit të pasurive të krijuara në mënyrë të ligjshme, janë pushuar në mënyrë të padrejtë nga ana e prokurorisë. Dosjet e kallëzuara nga ILDKP-ja dhe nga institucione të tjera shtetërore dhe joshtetërore, kur bëhet fjalë për korrupsionin, do të hetohen me përparësi dhe do të kërkohet ndëshkimi i gjithë shkelësve të ligjit në bazë të dispozitave që parashikon Kodi Penal.
Pasuritë e shtuara dhe pasuritë e dyshuara të politikanëve janë vazhdimisht në vëmendjen e qytetarëve dhe është krijuar përshtypja se sapo nis të ndriçohet diçka, hetimet ndalojnë menjëherë. Çfarë hapash do të ndërmerrni përballë pasurive të pajustifikuara, që ka të dhëna që disponojnë zyrtarë të të gjitha niveleve, nëpunës të vegjël apo zyrtarë të lartë?
Korrupsioni është një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare. Kjo u evidentua edhe nga të dhënat e fundit të publikuara nga Transparency International, ku Shqipëria renditej disa vende më poshtë. Nuk e themi vetëm ne këtë fakt. Gjatë drejtimit tim të këtij institucioni do të punoj me përparësi, që rastet e korrupsionit të hetohen në mënyrë të plotë e të gjithanshme dhe fajtorët do të ndëshkohen me forcën e ligjit në çdo rast.
Qytetarët kanë një perceptim shumë negativ për cilësinë e punës në sistemin e drejtësisë, gjykatësit, prokurorët, avokatët. Kryesisht ky perceptim vjen prej faktit se nuk dënohen zyrtarë të lartë.
Ky është një tjetër problem shqetësues për shoqërinë tonë. Unë do ta filloj punën time me reformimin e institucionit të prokurorisë. Në institucionin tonë ka mjaft prokurorë që nuk e meritojnë që të jenë prokurorë, që nuk duhet të gëzojnë statusin e prokurorit sepse janë vetë shkelës të ligjit. Unë do të punoj për evidentimin e tyre, dhe largimin nga radhët e institucionit të këtyre prokurorëve, për arsye se kjo pakicë prokurorësh njollosin emrin e institucionit, si dhe pengojnë pjesën më të madhe të prokurorëve të cilët janë të përkushtuar ndaj punës, pra punojnë në mënyrën e duhur.
Cilët janë krimet që mbizotërojnë në Shqipëri, kundër pronës, kundër personit dhe cilët prej tyre janë përparësia juaj?
Përparësia ime do të jetë lufta kundër korrupsionit. Korrupsioni është një dukuri e përhapur në Shqipëri dhe nxit të gjithë qytetarët, mediat, opinionin publik dhe të gjithë të interesuarit që të denoncojnë në prokurori dhe në zyrën e prokurorit të përgjithshëm të gjitha rastet e korrupsionit. Do të hetohen pa dallim të gjithë rastet e veprave penale, por përparësia ime do të jetë lufta ndaj korrupsionit.
Zyrtarë të lartë civilë dhe ushtarakë janë të përfshirë në procese gjyqësore si ai i Gërdecit. Si e mendoni vazhdimin dhe mbylljen e kësaj çështjeje?
Unë jam në ditët e para të marrjes së detyrës. Jam duke grumbulluar informacionin në lidhje me këto çështje të rëndësishme dhe të ndjeshme për opinionin publik. Do të mbështes punën e prokurorëve të bërë deri tani lidhur me hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve, dhe po ndjek me përparësi ato. Po kështu, lidhur me hetimet që kanë mbetur pezull lidhur me dy, me një pjesë të aktorëve të ngjarjes së Gërdecit, po ashtu edhe të 21 janarit.
21 janari është një tjetër ngjarje flagrante që njerëzit e panë drejtpërdrejt në televizion. Shumë qytetarë mendojnë se drejtësia është e pafuqishme të dënojë zyrtarë të lartë të përfshirë në ngjarje të tilla, apo edhe politikanë të lartë të akuzuar nga mazhoranca apo nga opozita. Pse vonohet drejtësia në ngjarje kaq flagrante, kur protagonistët janë në vendngjarje, lënë gjurmë të shumta aty?
Hetime të tilla janë të rëndësishme të kryhen si duhet qysh në çastet e para. Ne do të veprojmë me përparësi në ngjarje të tilla dhe unë synoj që të gjithë përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të hetohen dhe ju siguroj se do të ndëshkohen sipas ligjit.
Puna juaj e re do t’ju vendosë përballë presioneve të reja. Sa të parapërgatitur e ndjeni veten për t’u përballur me presionet politike?
Nisur nga përvoja e mëparshme në ILDKP, e them me bindje të plotë, që nëse drejtuesi i një institucioni nuk i afrohet politikës, por kryen detyrën e parashikuar nga ligji, asgjë nuk ndodh. Kam bindjen që politika nuk do të guxojë t’i bëjë presione institucionit të prokurorisë. Ky është një institucion i rëndësishëm shtetëror. Ligji i ka dhënë kompetencat e duhura që të mbajë qëndrimin e duhur ligjor, pa u bërë palë ose pa u nënshtruar nga politika. Kam bindjen që politikanët nuk do të guxojnë t’i afrohen pozicionit të Prokurorit të Përgjithshëm për t’i bërë presion, ose ndërhyrje në forma nga më të ndryshmet.
A do të nisni ju vetë hetime kryesisht bazuar në të dhëna për krim dhe korrupsion? Edhe qytetarët shqiptarë edhe Bashkimi Europian kërkojnë që të dënohen zyrtarë të lartë të përzier në korrupsion.
Kjo është një nga risitë që synoj të sjell në punën e prokurorisë; stimulimi i qytetarëve, medias dhe të interesuarve që të denoncojnë çdo rast për vepra të ndryshme penale. Nga nesër në institucionin tonë hapet një adresë elektronike postare, ku kushdo mund të denoncojë çdo rast të veprave të ndryshme penale, të cilat do të trajtohen me përparësi nga institucioni ynë. Një përparësi tjetër është rritja e masës së dënimit. Konstatohet se autorë të ndryshëm të veprave penale dënohen me masa minimale dënimi. Trafikantët e bimëve narkotike dënohen me masa qesharake, apo armë-mbajtja pa leje. Këtej e tutje prokuroria do të kërkojë që ndaj tyre të mbahet një qëndrim më i ashpër për masën e dënimit.
Pra, vitin tjetër - 2013, drejtësia shqiptare do të ketë një cilësi dhe një pamje të re?
Unë kam ardhur këtu me vullnetin e pothuaj të gjithë politikës shqiptare. Kandidatura ime është mbështetur nga pothuaj të gjithë faktorët politikë. Kjo më vë përpara një përgjegjësie të madhe përpara faktorit politik vendas dhe atij ndërkombëtar. Është një mbështetje dhe një përgjegjësi që unë do ta justifikoj në mënyrën e parashikuar në ligj. Kam bindjen se do ta përmbush në mënyrën më korrekte këtë detyrë që kam marrë përsipër dhe që më është ngarkuar nga ligjvënësi.
Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”