E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: 100 prokurorët? Oferta e Berishës nuk gjen zbatim

Intervista “Protestat mund të çojnë në një anarki politiko-shoqërore”

Sabri Godo e konsideron si të pazbatueshme në praktikë ofertën që Kryeministri Sali Berisha i bëri opozitës për ngritjen e një grupi prej 100 prokurorësh që të hetojnë zgjedhjet. Në një intervistë për “Shqip”, Godo deklaron se përderisa nuk ekzistojnë ankesa të përcaktuara nga opozita për hetime, atëherë ngritja e grupit të prokurorëve nuk duket se është e nevojshme. Nga ana tjetër, Godo e cilëson si gjysmak dhe të njëanshëm komisionin hetimor për zgjedhjet, në të cilin do të bëjnë pjesë vetëm përfaqësuesit e mazhorancës. Por republikani i konsideron qëndrimet aktuale të opozitës si rrezik për krijimin e një anarkie ligjore dhe institucionale.

Zoti Godo, si e gjykoni propozimin e bërë nga mazhoranca në lidhje me ngritjen e një grupi prej 100 prokurorësh, të cilët mund të plotësojnë kërkesat e opozitës për hapjen e kutive?

Unë nuk besoj se kjo ofertë gjen zbatim në praktikën e gjërave, sidomos në situatën që është krijuar. Kjo, sepse nuk merret vesh se kujt duhet t’i shërbejë kjo. Derisa nuk ekzistojnë ankesa të përcaktuara të opozitës, ankime të përcaktuara nga prokuroria, atëherë çdo të bëjnë këta 100 prokurorë?!

Cili është qëndrimi juaj në lidhje me ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet në të cilin do të marrë pjesë vetëm mazhoranca, duke qenë se opozita nuk pranon më të bëhet pjesë?

Mendoj se ai komision që është ngritur nga Parlamenti është gjysmak, nuk mund të funksionojë. Jo vetëm se është i anshëm, por sepse ka edhe konflikt interesi në vetvete. Në përgjithësi, pasi çfarë situate do të krijohej në rast se një deputet, anëtar i komisionit do të konstatonte që në zonën e tij janë bërë shkelje dhe se zgjedhja e tij nuk është legjitime. E gjitha kjo nuk më duket se ka një bazë të mirë juridike dhe një logjikë sesi do të zgjidhet problemi.

Nga mund të vijë zgjidhja në një situatë të tillë kur palët nuk mund të gjejnë konsensus mes tyre?

Ndoshta një zgjidhje mund të ishte Gjykata Kushtetuese, e cila do të këshillohej me Komisionin e Venecias për të dhënë një vendim të saj se çfarë rruge duhet të marrë ky konflikt, sesi duhet të zgjidhet problemi. Ne kemi institucionet, legjislacioni ynë juridik është modern dhe i është përshtatur Europës, pavarësisht se sa janë të afta organet e drejtësisë ta zbatojnë këtë legjislacion. Duhet ndjekur në tërë këtë çështje rruga ligjore.

Si e shikoni qëndrimin e opozitës, e cila po organizon protesta dhe po bën thirrje për rrëzimin e qeverisë?

Rruga që ka zgjedhur opozita për ta zgjidhur këtë çështje me anë të protestave nuk të çon askund. Kjo veçse mund të krijojë premisat e një anarkie politike dhe shoqërore. Në këtë kuadër më duket një zgjidhje tërësisht e papranueshme. Më në fund duket sikur Partia Socialiste i hapi letrat, nuk përmend më kutitë, por thotë se do të rrëzojë me protesta qeverinë, e cila ka shumicën në Parlament dhe atributet ligjore për të qeverisur. E tërë kjo të krijon përshtypjen e një lëmshi të cilin nuk ke nga ta kapësh.

Mendoni se situata e krijuar në vend mund të ketë pasoja negative për çështjen e liberalizimit të vizave dhe integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Europian?

Kjo padyshim e gjitha është negative, për sa i përket imazhit të Shqipërisë dhe marrëdhënieve me Europën. Por nuk do të ndikojë sipas bindjes sime në dhënien e vizave për shqiptarët. Ndoshta mund të ketë efekt në procedurat e tjera në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Europë. Por në këtë situatë dihen edhe efektet e tjera të brendshme që burojnë nga kjo situatë, siç është pengimi i investimeve të huaja dhe bllokimi i ekonomisë. Në një situatë që vjen duke u vështirësuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›