E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Ekzaminim joinvaziv për sëmundjet e zemrës



Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se Ministria e Shëndetësisë shumë shpejt do të japë ndihmën e duhur për zbatimin sa më shpejt në praktikë të teknikave të reja në ekokardiografi. Teknikat e reja të përparuara të ekzaminimit joinvaziv të zemrës, bazuar në ultratinguj, u diskutuan dje në Simpoziumin e Tretë Ndërkombëtar, organizuar nga Shoqata Shqiptare e Ekokardiografisë, në bashkëpunim me Qendrën Spitalore Universitare të Firences dhe me mbështetjen e Berlin Chemie-Menarini. "Simpoziume të tilla japin mundësinë të konfrontosh eksperiencat me ato të huaja, të zbatosh eksperienca më të kualifikuara me ato më të përparuarat dhe kjo do të thotë të kesh gjetur rrugën e duhur", - vlerësoi ministrja Godo, ndërsa shtoi se simpoziumi është në kërkim të një dimensioni të ri në fushën e ekokardiografisë. Mënyra të tilla organizimi, - shtoi ajo, - shkojnë paralel me strategjinë e përgjithshme të shëndetësisë, që krahas sigurimit bazë të shërbimeve shëndetësore, duhet të kërkojmë zbatimin e shërbimeve të reja për rritjen e shërbimeve ekzistuese. “Ky aktivitet shkon mirë me imazhin që duhet të ketë një qendër spitalore e nivelit terciar, si lider kombëtar në një specialitet të caktuar për zbatimin e shërbimeve dhe procedurave të reja”, - tha znj. Godo. Mjekët shqiptarë dhe italianë, të pranishëm në punimet e simpoziumit diskutuan mbi teknikat e reja të ekokardiografisë. Ekzaminimi joinvaziv, i bazuar në ultratinguj, me pamjet e tij ka arritur të saktësojë diagnozat e sëmundjeve të zemrës dhe është një nga teknikat e reja që synohet të zbatohet edhe në Shqipëri. Ndërkohë që sëmundjet kardiake zënë vendin e parë në Shqipëri, ndërkohë që problemi më i madh mbeten sëmundjet e enëve të gjakut të zemrës që çojnë në infarkt miokardi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›