Çahet toka, shemben shtatë banesa në Synej
Rrezikohen 8 banesa të tjera, janë spostuar 30-40 metra nga vendi ku janë ndërtuar. Evakuohen banorët nga zona, reagon qeveria
Situata sa vjen e përkeqësohet në Synej të Kavajës. Rrëshqet dheu, rrënohen shtatë banesa, duke lënë në qiell të hapur banorët e tyre, ndërkohë që 8 të tjera janë zhvendosur 30-40 metra dhe pritet të kenë fatin e të parave. Fatmirësisht, banorët e këtyre banesave e kishin parandjerë rrëshqitjen e tokës, duke lajmëruar edhe administratën e komunës, që i këshilloi për t’u larguar prej tyre. Ndaj dhe në momentin që banesat u rrënuan plotësisht, ata gjendeshin të strehuar tek të afërmit e tyre. Shkak, sipas banorëve, por edhe drejtuesve të komunës, ka qenë tërmeti i disa ditëve më parë, i cili i ka paraprirë gjendjes. Panorama që të ofrohej dje në fshatin Bogë ishte një gropë e madhe, rrënoja banesash brenda tij, ndërkohë që frika për shtrirjen e perimetrit të rrëshqitjeve parashikohet më e madhe, pra të zgjerohet më tepër duke rrezikuar të tjera banesa. Një fakt i tillë është konstatuar dje gjatë gjithë ditës në këtë fshat, ku banorët shihnin sesi dheu rrëshqiste vazhdimisht me metra të tërë, duke rrezikuar shembjen e plotë edhe për të tjera banesa. Konstatohet sesi çahet toka dhe gllabëron banesat përreth, ndërkohë që askush nuk është i aftë të bëjë diçka. Ajo që janë duke bërë banorët apo dhe drejtuesit e Prefekturës, si dhe Shtabi i Emergjencës, është evakuimi nga zona, e cila është kthyer në një rrezik për të gjithë. Sipas kryetari të Komunës Synej në Kavajë, Përparim Çaça, gjithçka ka ndodhur për 10 minuta dhe toka është hapur me një shpejtësi të rrufeshme. “Mendohet se ka qenë tërmeti i para tre ditëve ai që ka ndikuar në një katastrofë të tillë natyrore, por reshjet e dy ditëve të fundit mendohet se kanë ndikuar edhe më shumë. Problemi më i madh është se gjithë zona përreth është në gjendje emergjence, pasi toka mund të hapet gjithandej. Prandaj, evakuimi i njerëzve po bëhet menjëherë që të mos ndodhë asgjë dhe për fat nuk ka pasur asnjë të lënduar deri tani”, - pohon kryetari i komunës. Mure të këtyre shtëpive janë krisur dhe më pas shembur, por fatmirësisht pa zënë njerëz nën to. 7 shtëpitë e shembura tani janë të pabanueshme dhe banorët nuk kanë më strehë, ndërkohë që përkohësisht janë vendosur në banesat e të afërmve të tyre. Vetë kryetari i komunës pohon se ka premisa edhe për shembje të tjera, pasi po shihet me sy nga banorët fenomeni i fundosjes së shtëpive dhe ai i spostimit të tyre, gati 40-50 metra. Toka në fakt në këtë zonë bëhet e ditur se është ranore dhe prandaj priten edhe shembje të tjera në krahun e djathtë. Sipas të dhënave, Komuna Synej numëron 12 mijë banorë dhe fshati ku ka ndodhur ngjarja konsiderohet i madh, pasi ka 1 mijë banorë. Banorë të shtëpive trekatëshe po evakuojnë çfarë munden, pasi po ndiejnë rrezikun. Para tre ditëve, ata e vunë re se toka po krisej, po për këtë ia vunë fajin tërmetit dhe për fat kanë dalë nga shtëpia për të parë se çfarë do ndodhte dhe ky ka qenë fati i tyre, pasi ata dolën menjëherë sapo panë se po ndodhte zhvendosja e dy shtëpive dhe nuk i ka zënë brenda. Nga Tirana mbërriti dje një grup i Shtabit të Emergjencës, për të parandaluar shembjen e shtëpive të tjera. Ekspertë të gjeologjisë do të bëjnë një ekspertizë të tokës për të zbuluar se si do t’u vejë halli banorëve të shtëpive më lart zonës, dhe nga se shkaktohet kjo çarje toke.
“Problemi më i madh është se gjithë zona përreth është në gjendje emergjence, pasi toka mund të hapet gjithandej. Prandaj evakuimi i njerëzve po bëhet menjëherë, që të mos ndodhë asgjë dhe për fat nuk ka pasur asnjë të lënduar deri tani”, - pohon kryetari i komunës
Shembja e banesave
Olli: Janë marrë masat për evakuimin e banorëve
Qeveria ka reaguar për situatën e krijuar në Kavajë, duke theksuar se janë marrë të gjitha masat për evakuimin e banorëve dhe për evidentimin e dëmeve të shkaktuara. Përmes një deklarate për mediat, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi se përveç pesë shtëpive të dëmtuara, janë në rrezik edhe 5 banesa të tjera që rrezikojnë shembjen në Komunën Synej të Kavajës. “Kemi marrë masa në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe me komunitetin vendas për evakuimin e banorëve, të cilët janë strehuar tek të afërmit. Ndërkohë shtabi lokal i emergjencave po bën vlerësimin paraprak të dëmit të shkaktuar, së bashku me institucionet e tjera të specializuara për të bërë të mundur dhënien e ndihmës së menjëhershme për këta banorë”, - u shpreh Olli. Gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, 5 vila janë shembur si rezultat i rrëshqitjeve të dheut, në tokën ku ishin ndërtuar godinat. Fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, sepse banorët arritën të dilnin jashtë sapo ndjenë krisjen e mureve. Banorët shprehen se shkak parësor ka qenë tërmeti i tre ditëve më parë dhe shirat e djeshme që kanë shtuar shembjen e tokës që ishte krisur pas tërmetit.