QSUT, çdo vit zbulohen 100 raste me tumor në traktin tretës
Shërbimi i Gastrohepatologjisë në QSUT, Jovan Basho: Sëmundjet tumorale të traktit tretës hyjnë në 5 tumoret më të shpeshta të organizmit
Rreth 100 të sëmurë në vit diagnostikohen me sëmundje tumorale të paktën në Shërbimin e Gastrohepatologjisë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë. Sipas shefit të Shërbimit të Gastrohepatologjisë në QSUT, Jovan Basho, vendi ynë ka probleme shumë të mëdha të sëmundshmërisë së traktit tretës, ndërkohë që të dhënat tregojnë se kjo sëmundje hyn në 5 tumoret më të shpeshta të organizmit. "Ne kemi arritur të diagnostikojmë përherë e më tepër tumore të aparatit tretës, si kancere të stomakut, të zorrës së trashë, të pankreasit dhe kancere të mëlçisë". Sipas tij, "këta të sëmurë përbëjnë kontingjent të rëndësishëm, me probleme, për shkak të strukturës që kemi në këtë moment dhe, për shkak të njohurive të popullsisë për të shkuar tek mjeku specialist, në përgjithësi diagnostikohen me vonesë". “Vdekshmëria nga këto sëmundje, - sqaron Basho, - varet nga niveli i diagnostikimit, sepse ka raste që diagnostiklohen shpejt dhe ka rezultate të mira, nga kimioterapia dhe ndërhyrjet kirurgjikale, por ka dhe raste të tjera, që përbëjnë rreth 50 %, që në momentin kur diagnostikohen është tepër vonë". Duke u ndalur tek sëmundshëria e traktit tretës, mjeku Basho tha se "popullsia shqiptare vuan nga sëmundjet hiperacide, që janë sëmundjet ulçeroze, nga sëmundjet e zorrës së trashë, që janë sëmundje inflamatore të zorrës, nga sëmundjet virale të mëlçisë". Sipas të cilit, kohët e fundit është vënë re rritje e hepatitit C.
Sipas tij, "për momentin, Shërbimi i Gastrohepatologjisë ndjek më shumë se 400 të sëmurë me mjekime për sëmundje të tilla, shifra të cilat nuk janë shqetësuese, pasi janë shifra që gjenden në të gjitha vendet". "Kohët e fundit është për t’u lavdëruar fakti që dhe në vendin tonë ashtu si në vendet e tjera ka mjekime për këta të sëmurë", - theksoi më tej ai. "Në sajë të metodave të reja, të futura vitet e fundit në vendin tonë është më i mirë diagnostikimi, ndërsa sëmundshmëria është në të njëjtin nivel". Përsa u përket shkaktarëve të këtyre sëmundjeve, janë viralë. "Sëmundjet e mëlçisë shkaktohen nga virusi i hepatit B dhe kohët e fundit, si në vendet e tjera kemi diagnostikuar raste me hepatit C", - tha mjeku Basho, duke sqaruar se "popullsia shqiptare mbart në gjakun e saj me një përqindje të konsiderueshme virusin B më shumë se vendet e tjera dhe përsa i takon virusit C jemi në të njëjtat nivele si vendet përreth".
Përsa u takon sëmundjeve të stomakut, ai sqaroi se "në përgjithësi në këto sëmundje ndikojnë ushqimet proteinike të ndenjura për një kohë të gjatë në kushte frigoriferike, pra ushqimet që janë jo të freskëta". Sipas tij, "patologjitë e traktit tretës kushtëzohen nga ana gjenetike, ndërsa faktorët e mjedisit të jashtëm janë ata që përshpejtojnë, nxisin dhe përkeqësojnë shfaqjen e një patologjie, por jo ta shkaktojnë atë". Sëmundjet e traktit tretës prekin pothuajse të gjitha grupmoshat.