E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kodi i ri, jo kundër partive të vogla

Ish-kreu republikan: Duhet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse

Republikanët kërkojnë ndryshime thelbësore në Kodin Zgjedhor. Ish-kryetari i tyre historik, Sabri Godo, deklaroi dje në një prononcim televiziv për ALSAT, se ndërhyrjet në ligj duhet të rregullojnë përfaqësimin e partive politike, të cilat, me formulën ekzistuese, u penalizuan në një masë të madhe. “Logjikisht më duket më se e nevojshme që këto forca politike për mua duhet të jenë të pranishme në Parlament. Duhet të kemi 7-8 parti që të kenë një numër 10-15 për qind të votave në Parlament dhe kjo bëhet duke korrektuar këtë Kod Elektoral që kemi në fuqi”, u shpreh Sabri Godo. është e logjikshme që një propozim i këtillë sugjeron ndryshime në dispozitat që flasin për sistemin zgjedhor, i cili, aktualisht, është proporcional rajonal. Adaptimi i tij në zgjedhjet e vitit 2009 dhe sidomos mekanizmi shoqërues për llogaritjen e mandateve rezultoi fatal për partitë e vogla, të majta dhe të djathta, për shkak të provokimit të një pragu të ndryshueshëm në zona të ndryshme zgjedhore. Se çfarë produkti dha Kodi ekzistues, kjo mund të kuptohet nga një lexim i përciptë i rezultateve të 28 qershorit; nga 16 parti që përbënin koalicionin Aleanca e Ndryshimit, vetëm 3 përfituan mandate, teksa nga Bashkimi për Ndryshim, nga 5 parti, vetëm 2 përfituan karrige në Parlament. Me interes është ndikimi i pragut të lëvizshëm në atë që mund të quhet vlerë relative e raportit votë/përfaqësim. Kështu, dy koalicionet e mëdha në një llogaritje matematikore mes numrit të votave të marra dhe mandateve të përfituara duket se vijnë në raportin e përafërt 10 000 vota për një deputet, teksa koalicioni i krijuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim ka një raport që shkon në 20,000 vota për një deputet. Më tej, Poli i Lirisë ka marrë 27,000 vota dhe nuk ka përfituar asnjë karrige në Parlament. Për ta thënë me një gjuhë tjetër, sistemi aktual jo vetëm la jashtë partitë e vogla, por penalizon një masë të madhe votuesish që mbeten jashtë përfaqësimit parlamentar. Matematika e shifrave dhe interesi politik kanë nxitur propozimin e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të shmangë praktikën e komisioneve bipartizane që është aplikuar në të shkuarën. Lidhur me këtë gjë, Godo ka përsëritur nevojën e një rishikimi, që të marrë në konsideratë interesat e të gjithë faktorëve politikë në vend e që aktualisht gjenden të rreshtuar në të dyja kampet. “është një nevojë imediate që në shtator, me hapjen e Parlamentit dhe të stinës politike duhet të niset me këtë gjë, me rishqyrtimin e Kodit dhe ligjit elektoral”, u shpreh politikani republikan. Ky është një ndër zërat e përsëritur të partive aleate të PD, për përmirësimin e Kodit Elektoral. Pak ditë më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Aksioni Qytetar për reformën zgjedhore kanë kërkuar nisjen nga puna për këtë çështje në një tryezë të organizuar posaçërisht. Duhet thënë se nismën e LSI e ka bojkotuar pjesa më e madhe e partive opozitare, përveç Partisë Demokracia Sociale e Paskal Milos, duke rikonfirmuar se tensioni politik mes palëve përfaqëson interesa politike që ende nuk kanë një shpresë për realizimin e tyre. Për të kuptuar këtë gjë është me vend të kujtohet qëndrimi socialist që kushtëzon nisjen nga puna për reformën zgjedhore me hetimin e 28 qershorit 2009. Lënia në heshtje e këtij të fundit ka çuar në vlerësimin e PS për tryezat e organizuara për Kodin Elektoral, të cilat janë cilësuar si diversion ndaj transparencës së shumëkërkuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›