E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahia: Jo pengesa për financimin e partive

Qëndrimi Legalistët kërkojnë që kodi i ri të jetë më liberal për regjistrimin e subjekteve

Partia Lëvizja e Legalitetit ka kërkuar dje nisjen e punës për reformën zgjedhore dhe ka dhënë disa variante se ku mund të ndërhyhet në kod, për të realizuar zgjedhje sipas standardeve.
Kryetari i saj, Ekrem Spahia, u shpreh në një deklaratë për media, se jemi në limitet kohore të vendimmarrjes. “Në kushtet kur po afrohet afati i dekretimit të zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe caktimi i datës së zhvillimit të tyre është deri më datën 8 shtator, partitë politike kanë detyrimin që të fillojnë përgatitjet për reformën zgjedhore”, u shpreh Spahia. Ai ka thekuar se Kodi Zgjedhor ka nevojë për përmirësime të rëndësishme, të cilat janë evidentuar dhe në rekomandimet e OSBE/ODHIR. Spahia ka paraqitur dhe disa prej qëndrimeve që do të mbajë PLL në lidhje me reformën. Ai ka sugjeruar se parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe transparencës duhet të zbatohen plotësisht, “në mënyrë që ndaj asnjë subjekti zgjedhor të mos vendosen kufizime të njëanshme në procesin e regjistrimit, financimit të partive dhe kontrollit të votës”. Nga ana tjetër, Spahia ka theksuar se zgjedhjet duhet të bëhen me komisione jo partiake. “Lëvizja e Legalitetit” mendon se ndërtimi i një administrate zgjedhore jopartiake dhe ndryshimi i mënyrës së numërimit të votave duke përdorur skanimin e fletëve të votimit, do të ishin dy zgjidhje të thjeshta që do të rrisnin dukshëm besimin e elektoratit te zgjedhjet”, u shpreh Spahia.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›