E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Pakt të ri për reformat

Xhafaj: Ligji për Presidentin, formë presioni. Nuk hyjmë në lojën e PD

Opozita socialiste ofron konsensusin vetëm për realizimin e reformave që synojnë forcimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese. Në përgjigje të propozimit të demokratëve për një ligj organik për institucionin e Presidentit, sekretari për çështjet Ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafa ka deklaruar gatishmërinë për këtë gjë, duke e kushtëzuar me përfshirjen në një paketë nismash që do të korrektonin shumëçka në situatën aktuale. “Para se zotërinjtë e PD të flasin për një ligj organik për institucionin e Presidentit, i cili në parim nuk ka pse të kontestohet, duhet të kthejnë mbrapsht ato që kanë bërë në Rregulloren e Kuvendit. Do të duhet që të propozojnë një ligj organik jo vetëm për institucionin e Presidentit, por edhe për institucionin e Kuvendit, legjislativin. Ajo që është më shumë e rëndësishme, ta shohin këtë si pjesë të një reforme tërësore kushtetuese që lidhet me fuqizimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese në respekt të ligjit dhe natyrisht në funksion të nevojës për të thelluar reformën në drejtësi”, u shpreh Xhafa. Ai ka argumentuar se vetëm si një kuadër i tillë, ligji në fjalë mund të ketë kuptim dhe besueshmëri, sidomos kur autorësinë e tij e ka Partia Demokratike. Refuzimi i kësaj të fundit për të miratuar të njëjtën gjë dy vjet më parë, kur ajo propozohej nga PS dëshmon për kontekstin thellësisht politik të nismës në fjalë e cila për më shumë po pasqyron konfliktet e ashpra brenda vetë PD. Sipas Xhafës, riciklimi i kësaj nisme pikërisht tani mund të lexohet thjesht si një mënyrë presioni ndaj Presidentit të Republikës, për shkak të situatës së krijuar me ligjin e SHISH dhe çështjet e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. “...kjo nuk bëhet në funksion të një qëllimi për ta shëndoshur punën në Gjykatën Kushtetuese, por thjesht dhe vetëm për të goditur për këtë moment Presidentin e Republikës në funksion të betejës politike, në funksion të qëllimeve e interesave që ka dyshja Berisha-Topalli për të konsoliduar pushtetin e tyre personal. Jo thjesht dhe vetëm brenda mazhorancës, sepse kjo është e ditur dhe është një tregues i betejës brenda mazhorancës, por edhe për të zgjeruar dhe forcuar pushtetin e tyre personal ndaj institucioneve kushtetuese”, u shpreh Fatmir Xhafa. Konflikti klanor dhe politik brenda PD është kthyer tanimë sipas tij si një kërcënim për stabilitetin kushtetues të vendit për sa kohë që simptomat e tij po shfaqen në marrëdhëniet institucionale që udhëhiqen nga ligji. Ky është një ballafaqim serioz që priret të ndërhyjë edhe në ecurinë e ballafaqimit mes shumicës dhe opozitës, e cila prej një viti kërkon transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kërkesa për hetim dhe hapje të kutive e adresuar direkt ndaj Kryeministrit Sali Berisha ka paralajmëruar koston e vet te mosrealizimi i reformave siç është edhe ajo zgjedhore. Sekretari socialist i çështjeve Ligjore ka bërë të qartë se përpjekja për të krijuar idenë e normalitetit me hapjen e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të dështojë. “Për ne nuk mund të ketë reformë pa u zbardhur e vërteta, cilat janë problemet, pse kanë ardhur këto probleme dhe çfarë duhet bërë për të mos i pasur më ato probleme. Ne jemi të gatshëm që me këtë logjikë të ulemi e të ecim përpara. Në të kundërt, çështja e imazhit të vendit është shumë e diskutueshme, jo për fajin tonë. Për fajin e zotit Berisha dhe për fajin dhe përgjegjësinë e zonjës Topalli”, tha Fatmir Xhafa.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›