E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Qeveria të rregullojë gjendjen e tokave

07/08/2009  Partia Republikane mbështet marrjen e tokës për përdorim atij që nuk e punon

Zyrtari i lartë republikan thekson se duhet bërë një studim i hollësishëm

Presidenti i nderit i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane Sabri Godo ka vlerësuar pozitivisht nismën e kreut të qeverisë Sali Berisha për marrjen në administrim nga komunat për shfrytëzim të tokës së lënë papunuar edhe kur ekziston pronari ligjshëm. Për Godon kjo është një nismë që duhet përkrahur, por që për t’u zbatuar më parë duhet bërë një studim i hollësishëm. “Besoj se qeveria është e detyruar të bëjë një ligj të tillë që do të rregullojë gjendjen e tokave që janë lënë djerr nga pronarët”, - ka thënë ai. Për zyrtarin e lartë republikan gjendja në të cilat gjenden sipërfaqe të mëdha tokash është e papranueshme, ndaj duhet të ndërhyhet. Presidenti i nderit i Asamblesë Kombëtare të PR-së, forcë politike e cila ka në themel të programit të saj politik zgjidhjen e problematikës së pronës, pronari i tokës së lënë pa punuar duhet të ndërgjegjësohet. Por Godo thotë se, nëse për një periudhë rreth 3-vjeçare nuk bëhet asgjë me atë tokë, patjetër që duhet të merren masa që ta shfrytëzohet. “Ligje të tilla i kanë edhe vende të tjera. Por para se të zbatohet në terren ky ligj duhet të kryhen studime, duhet të vlerësohen se sa janë tokat e papunuara. Janë shumë pyetje që duhet të marrin përgjigje”, - deklaroi republikani Sabri Godo. Megjithatë, ai jep mbështetjen e tij ndaj nismës së Kryeministrit Berisha për të shfrytëzuar tokat që nuk përdoren, që sipas tij janë të shumta në vendin tonë.

Nisma

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen e fundit të qeverisë përpilimin e një ligji të ri, i cili do të mundësojë marrjen e tokës nga pronari i ligjshëm dhe dhënien e saj një personi tjetër, që do ta shfrytëzojë atë. Sipas kreut të qeverisë, personi që do të marrë tokën për shfrytëzim, në këmbim do t’i japë pronarit të ligjshëm taksën prej një të dhjetën e prodhimit. Kryeministri Berisha ka nënvizuar se toka nuk do të merret përfundimisht dhe se ajo do të vazhdojë të jetë në pronësi të pronarit që e ka marrë atë në bazë të ligjit 7501. Kjo masë, sipas kreut të qeverisë, do të ndërmerret pasi në vend ka sipërfaqe të mëdha toke të papunuar, çka shkakton një dëm të rëndë të interesit publik për vendin. “Në zona të ultësirës bregdetare dhe jo vetëm të saj ka mijëra hektarë që nuk punohen. Këtë tokë e kemi ndarë me ligjin nr. 7501, një ligj që është bazuar në parimin ‘toka atij që e punon’ dhe ‘atij që jeton aty’. Unë nuk them se do t’i marrim tokën atij që ia kemi dhënë me ligj e do t’ia japin dikujt tjetër, por kjo tokë do të kalojë në fondin e komunës dhe mbi bazën e ligjit do të jetë i detyruar ta japë me të dhjetë”, - deklaroi Berisha. Ai theksoi se duke e kaluar atë tokë në fondin e komunës, kjo e fundit do të ketë të drejtë t’ia japë dikujt tjetër për ta shfrytëzuar dhe pronarit, që i ka kthyer shpinën tokës, t’i paguajë të dhjetën. “Nuk mund të lëmë as edhe një metër tokë të papunuar në vend”, - nënvizoi kreu i qeverisë. Në mbledhjen e qeverisë ai u shpreh se qeveria do të adaptojë një qëndrim të ri ndaj tokës së papunuar. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që të përgatisë projektligjin, i cili do të ketë për qëllim pikërisht vendosjen e kalimit të tokës së papunuar në fondin e komunës dhe dhënien e saj me të dhjetë. Kreu i qeverisë theksoi se tokat e papunuara përbëjnë një dëm të rëndë për interesin publik për vendin. Ai kërkoi nga Ministria e Bujqësisë të përgatisë projektligjin që do të përcaktojë të gjitha procedurat e dhënies me të dhjeta të tokës, që do të jenë transparente, me opsion të hapur dhe me projekte.

PS kundër vendimit për pronat

Partia Socialiste reagoi dje ndaj vendimit të qeverisë “Berisha” për tokat e pashfrytëzuara në fshat. Në vijim të oponencës ndaj qeverisjes aktuale, selia rozë është ndalur dje pikërisht në vendimin e marrë dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, i cili kishte të bënte me menaxhimin e tokave të pashfrytëzuara. Deputeti i PS-së Eduart Shalsi, ndalur në një çështje të tillë, u shpreh gjatë një deklarate për shtyp se “është për të ardhur keq që edhe pas 18 vjetësh Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende pse nuk punohet toka në Shqipëri, duke dëshmuar qartazi se nuk ka se si të zgjidhë problemet e bujqësisë dhe të popullsisë që jeton në fshat një njeri që është me kilometra larg të kuptuarit të tyre dhe që tashme, në fakt, ai është shndërruar në problemin e tyre”. Sipas tij, Sali Berisha nuk e ka kuptuar ende se toka nuk punohet jo nga mosdashja, por nga pamundësia për ta punuar. “Fatkeqësisht, ai nuk e ka idenë e kostove të larta që ka prodhimi bujqësor. Ai nuk i di çmimet e larta të karburanteve, çmimet dhe pasigurinë e cilësisë së inputeve bujqësore, pa folur për mungesën totale të zinxhirit të lëvizjes së prodhimeve nga fusha në treg. Ai nuk e di se ky sektor jetik as nuk kreditohet dhe as nuk rimbursohet dhe se paratë e emigranteve, që janë financuesit e bujqësisë, janë rralluar për shkak të krizës. Sali Berisha ka dështuar të kuptojë se nuk janë mekanizmat administrative të konfiskimit të tokës ata që do të zgjidhin problemin”, - deklaroi Shalsi. Deputeti socialist nënvizoi se “prekja e pronës cenon rëndë parimet kushtetuese dhe do të shkaktojë një konflikt social me përmasa të mëdha, që do të thotë se Sali Berisha jo vetëm që nuk ka asnjë përgjigje për problemet me të cilat përballen fshatarët dhe bujqësia, por tashmë kërkon të administrojë të tjera troje për t’i konvertuar në nismat e tij 1-euroshe”.

Erkrem Spahia: Nuk jam në dijeni të nismës

Kryetari i partisë “Lëvizja e Legalitetit”, Ekrem Spahia, nuk ka dhënë asnjë vlerësim për kërkesën e Kryeministrit Sali Berisha mbi përgatitjen e një projektligji që do të lejojë të gjithë qytetarët e huaj me origjinë shqiptare të blejnë tokë në Shqipëri. I kontaktuar në telefon nga “Metropol”, Spahia nuk ka dashur të reagojë ndaj kësaj nisme të kreut të qeverisë. Ai bëri me dije se ka qenë në Kosovë dhe nuk është në dijeni të zhvillimeve të fundit lidhur me këtë çështje. Ndërkohë në programin e partisë “Lëvizja e Legalitetit” pikë e rëndësishme është prona, kombi dhe çështja shqiptare. Ato vlerësohen të shenjta dhe që duhen mbrojtur. PLL-ja është përfaqësuesja politike e monarkisë shqiptare dhe përkrahëse e oborrit mbretëror në vendin tonë. Madje, mohimi për shitje të tokës ndaj një shtetasi të huaj u bë pjesë e ligjit nga ish-mbreti Ahmet Zogu. Pra, kryetari i PLL-së nuk ka reaguar ndaj nismës së shefit të ekzekutivit, i cili kërkoi përgatitjen e draftit ligjor që ka për qëllim shitjen e tokës të gjithë qytetarëve që nuk jetojnë në Shqipëri, por që kanë origjinë shqiptare nga babai ose nëna. Ai ka kërkuar nga Ministria e Bujqësisë përgatitjen e një ligji brenda muajit gusht, i cili do të mundësojë shitjen e tokës në të gjitha format, për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare, kudo që ata janë në botë. “Toka në Shqipëri shitet për truall, por nuk shitet për qëllime të tjera. Duhet që ligji të përgatitet me kujdesin më të madh, në mënyrë që çdo shtetas që ka nënën ose babanë shqiptar, që ka origjinë shqiptare”, - deklaroi ai në mbledhjen e fundit të qeverisë. Kreu i qeverisë bëri me dije se do të përdoren të dyja format, diku kombësia dhe diku origjina, sepse sipas tij ka vende që e njehsojnë kombësinë me shtetësinë, dhe kjo i përjashton më pas.

Shoqata “Bregdeti”

“Problemi më i madh është ai i kthimit të pronave”

Shoqata “Bregdeti” përmes një letre drejtuar kryeministrit Sali Berisha shpreh shqetësimin në lidhje me zgjidhjen e problemit të pronës. Kryetari i kësaj shoqate, Niko Nesturi, thotë se problemi më shqetësues për banorët e zonës së Bregut ka qenë dhe vazhdon të jetë mungesa e vullnetit politik për të zbatuar të drejtën e pronësisë konform ligjeve në fuqi, konform detyrimeve kushtetuese dhe kërkesave të Bashkimit Europian. Ai shkruan se gjatë vizitave të fundit që kreu i qeverisë bëri në zonën e bregdetit jonian u fol shumë për zhvillimin e turizmit. Por Nesturi thekson se kthimi i pronës është problem tepër i rëndësishëm. “Turizmi është e ardhmja, por pas vitit 1991 pronat tona të trashëguara janë grabitur e po grabiten nga politikanët, që veprojnë nëpërmjet personave të emëruar në komisionet e kthimit të pronave, në Agjencinë e Pronave dhe në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që pasi pasurohen me shpejtësi marramendëse, pushohen nga puna dhe zëvendësohen me të tjerë akoma më të babëzitur, por veprimet që konstatohen se janë kryer në shkelje të ligjit nuk anulohen”, - shkruan Nesturi. Kryetari i shoqatës “Bregdeti” thotë se në tokat nga Vlora në Sarandë, po të bëhet një verifikim, do të rezultojnë se ndërtime pa leje janë shumë, por dhe shumë të tjera po vazhdojnë edhe sot të ngrihen pa leje. “Pa leje kanë ndërtuar dhe vazhdojnë edhe sot të ndërtojnë vetëm ata persona që kanë mbështetjen e politikanëve, të pushtetarëve, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Policia ndërtimore nuk vepron, pasi është e kapur dhe bashkëpunon për shkeljen e ligjit. Ligjet që do të rregullonin situatën në zonën turistike nuk po zbatohen. Kështu, ligji nr 9948 dt 7.07. 2008, “Për verifikimin e titujve të pronësisë”, nëse do ishte zbatuar që kur u botua në Fletoren zyrtare, do të ishte i mjaftueshëm që të gjithë pronarët e zonës turistike nga Vlora në Sarandë t’u ishin kthyer me ligj pronat e tyre të trashëguara”, - shkruan Nesturi. Sipas tij, kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi nga prefekti i Qarkut të Vlorës nuk ka vepruar dhe pronarët vazhdojnë të quhen “ish-pronarë”, vazhdojnë të riciklohen nga një zyrë në tjetrën dhe pronat e tyre i shfrytëzojnë klanet e politikanëve. “Pas këtij deklarimit publik në gusht 2009, nga ju si kryeministër, ne presim që ju të veproni konkretisht për kthimin e pronës tek i zoti, të veproni për çlirimin e pronave tona të pushtuara nga oligarkia e politikanëve, duke urdhëruar zbatimin e ligjit nr. 9948, pa qenë nevoja që pronarët të paguajnë para nën dorë ose të falin një pjesë të pronës që duhej t’u ishte kthyer”, - vijon më tej kreu i shoqatës. Si përfaqësues të palës së dëmtuar, ai kërkon ballafaqim me kreun e qeverisë për të gjetur zgjidhjet më të thjeshta e më të sakta, që çdo trung familjar të marrë ato rrënjë ullinj dhe atë ngastër toke që i është marrë padrejtësisht nga diktatura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›