E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi në vlerë i pronarëve deri në vitin 2012

07/08/2009  Miratohet programi i qeverisë me parashikimet për tre vjetët e ardhshëm

Kompensimi financiar për ish-pronarët do të vijë duke u rritur nga viti në vit deri në përfundimin e plotë të procesit. Këtë e konfirmojnë shifrat e programit buxhetor afatmesëm të qeverisë, i cili ka marrë fuqi ligjore pak ditë më parë, pas botimit në Fletoren zyrtare. Për këtë vit shifra e parashikuar në Buxhetin e Shtetit është 600 milionë lekë dhe kompensimi pritet të nisë në muajin shtator. Në garë për këtë fond janë rreth 520 ish-pronarë, të cilët aplikuan sipas afateve zyrtare deri më 14 korrik të këtij viti. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas nenit 24 të ligjit, po bën pagesat e kompensimit të ish-pronarëve që përfitojnë nga fondi që shteti ka caktuar prej vitit 2005 për këtë proces, ndërsa dhënia e vendimeve për njohjen e pronës është ndërprerë më 31 qershor 2008. Sipas ligjit, procesi i kompensimit financiar të ish-pronarëve është më i gjatë në kohë dhe parashikohet të përfundojë në vitin 2015.

Shifrat

Rreth 4,2 miliardë lekë parashikon të shpenzojë qeveria për periudhën 2009-2012 si fond për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve në vendin tonë. Në programin buxhetor afatmesëm për vitin 2009 është miratuar vlera prej 600 milionë lekë të reja, për vitin 2010 kjo shifër do të arrijë në 700 milionë lekë dhe në vitin 2012 pritet që shifra të arrijë në 1,2 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2012 në 1,7 miliardë lekë në dispozicion të ish-pronarëve. Sipas programit, politikat konsistojnë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të pronësisë së subjekteve të shpronësuara nëpërmjet njohjes së pronës, kthimit dhe kompensimit fizik e financiar. “Realizimi i procesit të njohjes kthimit dhe kompensimit të pronave do të përcaktohet në një kohë sa më të shkurtër dhe kthimi fizik i pronës do të bëhet në kufijtë maksimal aty ku është e mundur dhe në pamundësi kompensimin e saj sipas formave të përcaktuara në ligj, kompensim fizik ose kompensim financiar”, - thekson dokumenti. Ky program do të shoqërohet edhe me rivlerësim të përvitshëm të treguesve të hartës së vlerës së tokës, ku përcaktohet vlera në lekë për m2 sipërfaqe trualli për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, duke iu përshtatur çmimit të tregut për një vlerësim sa më real të pronës.

Sa pronarë do të përfitojnë

Për vitin 2009 do të jenë rreth 130 pronarë të kompensuar në të holla, pra financiarisht për pronat e subjekteve të shpronësuara. Një shtim nga viti në vit do të pësojë numri i ish-pronarëve që do të kompensohen financiarisht. Kjo është një prej synimeve kryesore të përcaktuara për vitin 2010. Janë planifikuar 140 pronarë që do të kompensohen në të holla për pronat e subjekteve të shpronësuar. Gjatë vitit 2011 është parashikuar që numri i ish-pronarëve që do të kompensohen financiarisht të arrijë në 150. Gjithashtu gjatë 2011 është parashikuar rivlerësimi dhe azhurnimi i hartës së vlerës, por edhe shtimi i pajisjeve për mirëfunksionimin e administratës.

Buxheti (milionë lekë) Faktik 2008 2009 2010 2011 2012

Kompensimi në vlerë i pronarëve - 600 700 1,200 1,700

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›