Godo: Venecia, zgjidhje për krizën

Politikani Sabri Godo i bën thirrje mazhorancës dhe qeverisë të gjejnë formën për të siguruar jetën e 200 grevistëve të urisë. Në një intervistë për “Alsat”, Godo shprehet se mbrojtja e jetës së çdo shtetasi shqiptar është një detyrim kushtetues dhe për këtë arsye duhet gjendur mënyra që në çadrat para Kryeministrisë të mos ndodhë ndonjë tragjedi. “Mund të ndërhyjë ambasadori Bosch, mund të ndërhyjnë ambasadorë të tjerë mbi atë që ndodh në Shqipëri, por nuk janë ata që duhet të vendosin se si duhet të zgjidhet kjo çështje”, theksoi Godo, duke shtuar se palët politike duhet të nxitojnë për të mos pasur një zgjidhje të ndërkombëtarëve për këtë krizë. Por, sipas tij, nëse konsensusi mes tyre nuk ndodh, atëherë Berisha dhe Rama janë njerëz të cilët nuk marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë. Sipas republikanit Godo, është shumë e rëndësishme që kjo situatë të marrë zgjidhje sa më parë, pasi në grevë janë qenie njerëzore dhe nga momenti në moment çdo gjë mund të ndodhë me ta. Sipas Godos, Kryeministri Berisha ka përgjegjësinë për t’i dhënë mundësinë opozitës që të mbyllë grevën e saj të urisë. “Kur jeta e dikujt kërcënohet, atëherë medoemos shteti duhet të ndërhyjë. Berisha nuk mund t’i shpërndajë me dhunë ata, nuk mund t’i shpërngulë. Duhet të marrë masa të tjera në mënyrë që të jemi të gjithë të sigurt, të mos jetojmë në çdo orë me ankth se aty nuk do të ngjasin gjëra tragjike”, i bëri thirrje Godo, kreut të qeverisë. Por nga ana tjetër, ai i bëri thirrje edhe Edi Ramës për të përfunduar këtë grevë, përpara se dikujt t’i rrezikohet seriozisht jeta. “Edi Rama të pranojë se greva është një rrugë pa krye dhe ta ndërpresë atë para se të rrezikojë jetën e njerëzve të tij”, theksoi Godo. Në lidhje me rrugët e zgjidhjes së situatës, Godo theksoi se ishte e udhës që të shikohej mundësia që zgjidhja për hapjen ose të jo të kutive të votimit duhet të vinte nga Komisioni i Venecias. Sipas tij, është e rëndësishme që palët të gjejnë rrugën e duhur për t’iu drejtuar këtij komisioni. “Komisioni i Venecias është i përbërë nga personalitete në fushën e drejtësisë të njohur në Europë. Janë me të vërtetë krejt të paanë. Ata nuk duan të dinë parti, nuk duan të dinë të djathtë e të majtë. Ata janë organi më i përshtatshëm që mund të japë një gjykim për një konflikt të tillë. Do të ishte mëkat që ajo të mos shfrytëzohej”, këshilloi Sabri Godo. Por sipas tij, në këtë “luftë” mes palëve nuk duhet të ketë të mundur dhe se cilat nga palët është e nevojshme të ndahet në mënyrë fituese. “Asnjë palë nuk mund të mposhtë tjetrën dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Duhet të dyja palët të ndahen me nder nga ky sherr. Secili të marrë të vetat”, deklaroi Godo. Sipas tij, situata është e ndërlikuar dhe ajo s’mund të lihet më në këtë gjendje.
#