E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Propozimet e Ramës shkelin ligjin

“Fletët e kundërfletët asgjësohen. PS, jo presion Gjykatës Kushtetuese”

Mazhoranca i konsideroi si antiligjore kërkesat e socialistëve për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe drejtimin për te Komisioni i Venecias sa i takon hapjes së kutive të votimit. Një ditë pas Kryeministrit Sali Berisha, u prononcua për këtë çështje në një konferencë për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Duke iu referuar deklaratës së kryetarit të PS-së, Edi Rama, kreu i grupit demokrat deklaroi se kërkesa për hapjen e kutive të materialeve bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Në këtë kuadër, Patozi shpjegoi se në Kodin Zgjedhor theksohet se materialet zgjedhore, pas përfundimit të procesit zgjedhor, shkojnë në Arkivin Qendror të Shtetit.

“Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, citoi Patozi nenin e Kodit Zgjedhor, duke shtuar se “është KQZ ai që hap kutitë e votimit dhe se hapja e kutive të materialeve zgjedhore dhe dërgimi e tyre në arkivë, për arsye themelore kushtetuese, shoqërohet me asgjësimin e fletëve të votimit”. Kreu i grupit parlamentar theksoi se çdo qëndrim tjetër i ndryshëm nga ky që përcakton Kodi Zgjedhor, është antiligjor dhe antikushtetues. Patozi përsëriti se propozimi i Ramës për hapjen e kutive të votimit bie gjithashtu ndesh me vendimin e Kolegjit Elektoral. “Rama nuk disponon asnjë dokument për kundërshtim të votave gjatë numërimit”, sqaroi Patozi. Por sipas kreut të grupit, edhe propozimi i PS-së për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me hapjen ose jo të kutive të votimit në komisionin parlamentar është antiligjor. Sipas Patozit, për të formuluar këtë kërkesë është keqpërdorur një rekomandim i Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Në këtë kuadër, kreu i grupit kuvendor të PD-së theksoi se të drejtën për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias nuk e ka PS, por Gjykata Kushtetuese. “Institucionet e Këshillit të Europës theksojnë mundësinë e kërkimit të opinionit nga Komisioni i Venecias, por kjo nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me mandatin e komisionit hetimor parlamentar dhe veçanërisht për çështjen e hapjes se kutive. është vetëm kjo Gjykatë, e cila po e pa të arsyeshme, mund t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të dhënë mendim për vendimet e saj”, sqaroi Patozi. Kreu i grupit demokrat theksoi se është e nevojshme të konstatohet se Partia Socialiste nuk mund të ushtrojë presion te Gjykata Kushtetuese në lidhje me dërgimin ose jo të kësaj kërkese në Venecia. “Në asnjë rast apo rrethanë, si garante e Kushtetutës, asaj nuk mund t’i bëhet presion me greva politike”, nënvizoi kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, Patozi deklaroi edhe një herë se mazhoranca është e hapur për dialog dhe transparencë të plotë, duke theksuar se gjithçka mund të bëhet vetëm në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Kryeministri Berisha dhe përfaqësues të tjerë të mazhorancës janë shprehur se nuk ekziston asnjë draft nga faktori ndërkombëtar, i cili të kërkojë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore për të bërë transparencën e zgjedhjeve të shkuara të 28 qershorit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›