Gogu: Drejtoria e Përgjithshme e Monitorimit do të drejtohet nga një magjistrat

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Monitorimit në këtë ministri do të drejtohet nga një magjistrat.
Gogu deklaroi se Ministria e Drejtësisë i ka dërguar një kërkesë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për drejtimin e kësaj strukture nga një magjistrat, kërkesë e cila është miratuar.
“Unë besoj se sistemi i drejtësisë në Shqipëri, pas kalimit të provës së vettingut, Ministria e Drejtësisë meriton të ketë në mesin e saj magjistratë të cilët kanë të gjithë aftësinë të mund të shërbejnë edhe në institucione politikëbërëse, siç është Ministria e Drejtësisë”, tha Gogu.
Sipas tij, përfshirja e magjistratëve në struktura të tilla është një mënyrë për të garantuar standarde të larta profesionale edhe në proceset administrative.
“Edhe në proceset e lira duhet të kemi të njëjtat standarde që ka kaluar procesi gjyqësor”, u shpreh ministri.
Gogu theksoi se aktiviteti i Drejtorisë së Përgjithshme të Monitorimit ka vijuar pavarësisht vakancës së drejtuesit, duke përfshirë edhe inspektimet për monitorimin e punës së noterëve.
Ai bëri të ditur se ka pasur raste kur gjykatat kanë vendosur kthimin e noterëve në detyrë apo heqjen e pezullimit të licencës së vendosur nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa nënvizoi se zbatimi i detyrimeve ligjore për shkeljet e konstatuara do të vijojë.
/e.xh/