Gogu: Agjencia e Trajtimit të Pronave hap dyert për qytetarët, mbi 9 miliardë lekë kompensime në gjashtë muaj

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur një nismë të re për rritjen e aksesit të qytetarëve në shërbimet që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave.
Në një konferencë për shtyp, Gogu bëri të ditur se drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave ka vendosur zhvillimin e një dite të hapur për qytetarët, ku çdo javë do të ofrohet mundësi për konsultime dhe trajtim të problematikave të tyre.
“Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Pronave sot ka pasur një iniciativë të re që quhet ‘Ditë e Hapur’. Çdo të mërkurë të gjithë qytetarët që kanë probleme me Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me kthimin e pronave apo kompensimin e pronave, do të priten nga drejtori i përgjithshëm dhe stafi përkatës për çështjet e kompensimit”, tha Gogu.
Ai shtoi se çdo të enjte do t’u kushtohet çështjeve që lidhen me njohjen e pronësisë.
“Çdo të enjte do të jetë për njohjet e pronësisë. Drejtori i përgjithshëm ka detajuar një plan për shërbimin ndaj qytetarëve, i cili ka mbështetjen e plotë të ministrit, të Ministrisë dhe të gjithë qeverisë”, u shpreh ministri.
Gogu bëri të ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë ekzekutuar 968 vendime për kompensimin e pronave, me një vlerë totale prej 9.1 miliardë lekësh.
“Brenda këtyre gjashtë muajve janë ekzekutuar 968 vendime me një vlerë prej 9.1 miliardë lekësh, ndërkohë janë trajtuar edhe 490 dosje për njohjen e pronësisë”, deklaroi ai.
Ministri tha se objektivi deri në fund të vitit është ambicioz, me trajtimin e mijëra dosjeve të mbetura.
“Deri në fund të vitit plani është ambicioz: duhet të trajtojmë 6381 dosje”, tha Gogu.
Sipas tij, Agjencia e Trajtimit të Pronave është angazhuar gjithashtu për përmbylljen e procesit të kompensimit në disa qarqe të vendit.
“Agjencia është angazhuar që të mbyllë kompensimin në Kukës, Dibër, Gjirokastër, Berat dhe Lezhë, si dhe të likuidojë këstin final për rreth 2 mijë përfitues”, u shpreh ministri i Drejtësisë.
/gj.m/j.p/