E Diel, 1 Nëntor 2026

Gogu: Mbi tre mijë qytetarë përfituan ndihmë juridike falas gjatë gjashtëmujorit të parë

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, Ministria e Drejtësisë ka vijuar të forcojë aksesin e qytetarëve në drejtësi, përmes zgjerimit të shërbimit të ndihmës juridike falas në të gjithë vendin.

Në një konferencë për shtyp, Gogu, duke prezantuar bilancin e punës së Ministrisë së Drejtësisë për këtë periudhë, tha se institucioni ka qenë pranë qytetarëve në shërbimet që lidhen drejtpërdrejt me sistemin e drejtësisë.

“Gjatë këtij gjashtëmujori, ne si Ministri e Drejtësisë kemi qenë aty ku drejtësia takohet me qytetarët”, u shpreh Gogu.

Ministri theksoi se një nga arritjet kryesore të reformës në drejtësi është garantimi i aksesit në ndihmë juridike për qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike.

“Kemi marrë një zotim në Republikën e Shqipërisë me nisjen e reformës në drejtësi, asnjë qytetar me pamundësi ekonomike nuk mund të mbetet pas për sa i përket asistencës juridike dhe mbrojtjes ligjore”, tha ai.

Gogu bëri të ditur se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, 3 174 qytetarë në të gjithë vendin kanë përfituar shërbime të ndihmës juridike parësore.

“Në këto gjashtë muaj, 3 174 qytetarë në të gjithë republikën kanë marrë shërbim nga ndihma juridike parësore, pra nga zyrat dhe sportelet tona, duke përfituar ndihmë juridike falas”, deklaroi ministri.

Ai shtoi se është rritur edhe numri i qytetarëve që kanë përfituar ndihmë juridike përmes përfaqësimit me avokat të caktuar nga gjykata.

“Sa i përket vendimeve të gjykatave për caktimin e avokatit falas në seancat gjyqësore, janë dhënë 604 vendime, çka përfaqëson një rritje prej 38%”, tha Gogu.

Sipas ministrit, këto të dhëna dëshmojnë zgjerimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi dhe funksionimin e skemës së ndihmës juridike falas si një instrument në mbështetje të shtresave në nevojë.

/gj.m/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›