Gogu pret komisionerin europian McGrath, në fokus reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Europian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath.
Gjatë takimit, ministri bëri të ditur se diskutuan për forcimin e shtetit të së drejtës dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Në fokus ishin konsolidimi i reformës në drejtësi dhe qëndrueshmëria e saj, si dhe përmbushja e kritereve të integrimit europian dhe roli i Ministrisë së Drejtësisë në këto procese”, theksoi Gogu.
Gogu nënvizoi se angazhimi i qeverisë “mbetet një drejtësi më efektive, institucione që funksionojnë dhe garanci më të forta për të drejtat e qytetari”.
Komisioneri Michael McGrath në një reagim në rrjetet sociale për vizitën e tij të parë në Shqipëri, thekson “pavarësia e gjyqësorit është themelore”.
“Shqipëria është pararendëse në procesin e anëtarësimit në BE. Jemi të gatshëm të punojmë së bashku për të çuar përpara reformat që lidhen me drejtësinë dhe sundimin e ligjit, të cilat janë thelbësore për këtë rrugëtim”, deklaron McGrath.
Në takimin me ministrin Gogun, shton Komisioneri evropian, “përsërita një mesazh të qartë: jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë që ambiciet e saj evropiane t’i shndërrojë në realitet. E ardhmja e Shqipërisë është evropian”.
/m.q/r.e/