E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Referendum për Reformën Territoriale, miratojmë variantin që votojnë qytetarët

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi sot në Kuvend që reforma territoriale të hidhet në referendum, duke propozuar që qytetarët të kenë mundësinë të zgjedhin mes varianteve të ndryshme.

Berisha e kundërshtoi projektin e paraqitur në Kuvend, duke argumentuar se reforma lidhet drejtpërdrejt me organizimin e shërbimeve publike, jetën e komuniteteve dhe zhvillimin e tyre.

“Hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë këtë projekt, për të cilin nuk ka qytetar i çdo bindje politike që voton. Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë sot në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që mbi të gjitha ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë. Ka të bëjë me shërbimet ndaj tyre. Ka të bëjë me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve kudo që janë. Hidheni poshtë dhe të vendosim të shkojmë në referendum me dy variantet, cilin variant të votojnë qytetarët, atë variant të vijmë dhe ta sanksionojmë këtu”, tha Berisha.

Sipas tij, vendimmarrja për ndarjen territoriale duhet t’u nënshtrohet drejtpërdrejt qytetarëve, ndërsa parlamenti duhet të miratojë variantin që do të marrë mbështetjen e tyre në referendum.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›