Gogu propozon katër masa për të miturit në përballje me ligjin

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, propozoi katër masa për forcimin e garancive procedurale për të miturit që vijnë në kontakt me organet ligjzbatuese, gjatë tryezës së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua nevoja për një plan të përbashkët veprimi mes institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Masat e propozuara nga ministri parashikojnë hartimin e një formulari të të drejtave, të shkruar në gjuhë të kuptueshme për fëmijët dhe që duhet t’u jepet përpara marrjes në pyetje; garantimin e një avokati pa vonesë për të miturin që merret në pyetje, në përputhje me ligjin; njoftimin e hershëm të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës; si dhe krijimin e të dhënave të përbashkëta ndërinstitucionale për mënyrën se si zbatohen këto garanci.
Gogu i paraqiti këto propozime si pjesë të qasjes së qeverisë ndaj situatave të dhunës të javëve të fundit, duke theksuar se përgjegjësia për veprimet e kryera duhet të shoqërohet me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
“Protesta paqësore mbrohet. Dhuna ka përgjegjësi. Në këtë përgjigje, Ministria e Drejtësisë mban një pjesë të veçantë: fëmijën”, u shpreh ministri.
Ai bëri të ditur se projekti i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për të Miturit 2027–2030, i hartuar me asistencën teknike të UNICEF-it, ndodhet në konsultim publik deri më 22 nëntor.
Në këtë kuadër, Gogu propozoi që në procesin e konsultimit të përfshihen edhe vetë fëmijët, duke e lidhur këtë nismë me 20 nëntorin, Ditën Botërore të të Drejtave të Fëmijës.
Ministri informoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë po punon për transformimin e institutit për të miturit, drejt një modeli që vendos në qendër arsimin, rehabilitimin dhe rikthimin e tyre në familje.
Paralelisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po hartohen plane për parandalimin e dhunës dhe situatave të rrezikshme në shkolla.
Gogu e lidhi këtë qasje edhe me nismën e Ministrisë për drejtësinë sociale, duke theksuar se shërbimet dhe mbrojtja ligjore duhet të jenë të aksesueshme për çdo fëmijë, pavarësisht kushteve familjare apo ekonomike.
“Drejtësia duhet të arrijë te fëmija, edhe kur familja e tij nuk ka avokat, nuk ka lidhje, apo nuk di ku të trokasë”, tha ai.
Sipas ministrit, qëllimi i sistemit duhet të jetë edukimi dhe rehabilitimi i të miturit, në mënyrë që ai të ketë mundësi të ndërtojë një të ardhme larg shkeljeve të ligjit.
“Fëmija që ka gabuar duhet të dalë nga takimi me drejtësinë me shkollë, me profesion dhe me familjen pranë, jo me një dosje më shumë”, përfundoi Gogu.
/gj.m/r.e/a.f/ /a.g/