E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goldman Sachs, akuza për mashtrim

Hera e parë që një institucion rregullator vepron ligjërisht kundër një banke të madhe investimesh çështje gjyqësore për bankën e Wall Street-it

“Goldman Sachs grup Inc” është akuzuar për mashtrime dje nga një rregullator sigurimesh amerikane, për sa i përket ristrukturimit të marketingut të një produkti borxhi lidhur me kreditë dytësore. Komisioni i Sigurimeve dhe Këmbimeve, në akuzën e tij thotë se “Paulson&Co”, një fond financiar i drejtuar nga miliarderi John Paulson, ka bashkëpunuar me bankën në fjalë për krijimin e një obligacioni borxhi të kolateralizuar dhe ka përfituar nga një gjë e tillë, duke u sjellë investitorëve një kosto prej 1 miliard dollarësh. Përgjegjësi kryesor, sipas akuzës, është zëvendëspresidenti i bankës, që ishte edhe ideatori i produktit në fjalë. Ai është akuzuar gjithashtu për mashtrim. Paulson vetë nuk është vënë ende nën akuzë. Ndërkaq, zëdhënësit e të dy institucioneve nuk kanë bërë asnjë koment në lidhje me këto zhvillime. Akuza e hedhur në një gjykatë federale në Manhatan, shënon një përpjekje të rëndësishme të institucioneve rregullatore në Shtetet e Bashkuara për të vënë para përgjegjësisë personat dhe institucionet që kontribuuan në shkaktimin e krizës financiare në vend, krizë që u shtri më pas përmes një efekti domino në të gjithë botën. Për shumë analistë, ky është një hap shumë i guximshëm i një institucioni rregullator, që më së pakti do t’i shkaktojë bankës një dëm të madh në reputacion. Pas këtij njoftimi, ranë ndjeshëm edhe aksionet e bankës në bursë. Në akuzë thuhet se banka nuk u tregoi të vërtetën investitorëve në lidhje me produktin e rremë.

“Goldman” është aktualisht një nga bankat më prestigjioze të investimeve në botë. Nga kriza e madhe globale, bankare dhe ajo financiare, ka dalë thuajse e paprekur, madje në disa fusha ka shënuar edhe suksese. Kjo është hera e parë që një institucion mbikëqyrës merr një masë të tillë ndaj një banke të përmasave të tilla, si ajo në fjalë. Banka akuzohet sepse mendohet që përfitoi nga pozita e vështirë në të cilën ndodheshin amerikanët në prag të krizës financiare.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›