Ushtaraku: Municionet tona rrezikojnë vendet e rajonit
Municionet e vjetra, të mbartura nga koha e diktaturës, krahas disa qyteteve në Shqipëri, rrezikojnë edhe vendet e rajonit. Paralajmërimi vjen nga Bardhyl Hoxha, i thirrur dje si dëshmitar në megaprocesin e Gërdecit, në cilësinë e ish-drejtorit të Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm. Duke sqaruar një memo, të cilën ia kishte dërguar në dhjetor të vitit 2006 Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Hoxha tha se e kishte kryer këtë veprim, pasi kishte mendimin se municionet që ndodheshin në depot e armatimit në Shqipëri ishin një rrezik potencial jo vetëm për qytetarët dhe vendin, por edhe për vendet fqinje. “Nisur nga ky rrezik, kam kërkuar që firma SAC të kishte një plan demontimi”, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë dijeni për përzgjedhjen e Gërdecit si vend demontimi, pasi në atë kohë ka qenë me një detyrë tjetër. Ai saktësoi se nuk kishte qenë dakord që të përzgjidhej si vend demontimi rajoni i Bërzhitës, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, pasi ishte afër qendrave të banuara.
DëshmiaBardhyl Hoxha, 52 vjeç, drejtor i Logjistikës në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë deri në muajin mars të vitit 2007, ishte dëshmitari i parë i thirrur nga organi i akuzës. Më pas, Hoxha ka kryer detyrën e drejtorit të Menaxhimi të Burimeve Mbrojtëse në Shtabin e Përgjithshëm, dhe në muajin shtator të vitit 2008 ka dalë në rezervë. Dëshmitari është pyetur nga prokuroria për të sqaruar punën e tij si drejtor i Logjistikës. çdo pyetje të prokurorit Petrit Bica, ai i përgjigjej me “si urdhëron” dhe më pas fliste për tematikën e procedurave. Duke shpjeguar përzgjedhjen e SAC-it, dëshmitari Bardhyl Hoxha tha se për këtë episod duhej të ndalej në dy momente kryesore. “Fillimisht, në datën 27 dhjetor të vitit 2006 kam mësuar se një firmë e huaj donte të demontonte municione në Shqipëri. Dhe së dyti, dua të theksoj se më ka thirrur në një takim sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai, ku ishin prezent drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, juristi i Ministrisë së Mbrojtjes, Plarent Rukaj, dhe përfaqësuesi i kompanisë amerikane SAC, emri i të cilit nuk më kujtohet. Por nga e folura ishte shtetas i huaj dhe fliste anglisht. Më vonë në takim vjen edhe shtetasi Sokrat Papadhima, në cilësinë e shefit të Seksionit të Armatimit. Në takim u bë një prezantim për mënyrën e demontimit të municioneve me kompjuter (laptop) në programin Power Point. Në fund të këtij takimi, pjesëmarrësit e vlerësuan këtë si një mundësi për të eliminuar sasinë e municioneve të tepërta dhe të vjetra të Forcave të Armatosura. SAC-i kërkonte që aktiviteti të shtrihej për demontim në municionet e kalibrit 7.62, 12.7, 14.4 dhe 37 mm me gëzhojë tunxhi”, deklaroi dëshmitari.
BërzhitaKompania SAC kërkonte që demontimi i municionit të bëhej në ish-repartin ushtarak të Bërzhitës, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan. “Nisur nga takimi në Ministrinë e Mbrojtjes, në datë 28.12.2006, Drejtoria e Logjistikës i dërgon një memo shefit të Shtabit të Ushtrisë. Memoja ishte hartuar nga shefi i armatimit, Sokrat Papadhima, dhe është sigluar nga unë. Si rregull, memoja dhe dokumentet duhet të kalonin në Shtabin e Përgjithshëm dhe më pas në sekretarinë e këtij të fundit. Pas kësaj procedure, shkresa shkon në sekretarinë e Ministrisë së Mbrojtjes. E njëjta rrugë është ndjekur edhe për memon që kemi dërguar”, vijoi Bardhyl Hoxha. Më pas ai është pyetur nga prokuroria. “Në memo keni thënë ‘negociata për qendrën e demontimit’. çfarë do të thotë ky term?”, e pyeti prokurori Petrit Bica. Në përgjigjen e tij dëshmitari tha: “Si urdhëron, termi ‘negociata’ është përdorur pasi në këtë proces kanë qenë dy palë, Ministria e Mbrojtjes e Shtabi i Përgjithshëm nga njëri krah dhe kompania SAC nga ana tjetër. Rajoni i Bërzhitës, sipas memos që kam dërguar në FA dhe ministri, ka qenë i papërshtatshëm, pasi ndodhet afër rrugës nacionale Tiranë-Elbasan dhe pranë qendrave të banuara. Ky rajon nuk mund të plotësonte kushtet e licencimit. Sipas procedurave, baruti i vjetër, me moshë 20-30 vjeçare, duhet të demontohet në natyrë, pasi është i ndjeshëm që të vetëndizet. Ne kemi rekomanduar që transporti i municionit në fabrikë të realizohej me mjetet e ushtrisë, pasi këto automjete ishin të specializuara për transportin e municioneve. Gjithashtu, edhe shoferët e kamionëve të ushtrisë ishin trajnuar për këtë transport”. Në fund, dëshmitari është pyetur edhe nga të pandehurit, duke sqaruar disa episode. Ai tha se në takimin me SAC-in ishin të pranishëm edhe Shkëlzen Madani dhe Ndue Marku. Ndërkohë, Bardhyl Hoxha ka marrë një pyetje ironizuese nga Dritan Minxolli, i cili i ka kërkuar që të shpjegojë përzgjedhjen e një vendi të demontimit. “Po e aktualizoj pak pyetjen. Si përzgjidhet një vend demontimi dhe a mund të demontohet municion në sheshin ‘Skënderbej’?”, pyeti Minxolli, ndërsa gjykata e korrigjoi pyetjen, duke hequr pjesët ironizuese. Dëshmitari vijoi me përgjigjen seriozisht të pyetjes, ndërsa në sallë u krijua ilaritet.
#