E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gomorra shfaqet në Tiranë

Disa muaj pasi ka bërë xhiron e kinemave në Evropë, më në fund publiku shqiptar mund ta shohë "Gomorrën" në ekranin e madh, ndërkohë që i është ofruar shqiptarëve edhe nëpërmjet kanaleve dixhitale.

Nga data 6 mars "Gomorra" i bazuar në romanin jo artistik të Roberto Savianos, po shfaqet në Kinemanë Imperial.


Filmi i Matteo Garrones që pati mjaft jehonë në vendlindje në Itali, u vlerësua në festivalin e Kanës më 2008 me Çmimin e Madh të jurisë, u shpall Filmi më i mirë i Evropës për vitin që shkoi dhe përfaqësoi Italinë në Çmimet Oscar për kategorinë e filmit më të mirë të huaj.


"Gomorra" është një lloj historie ditë pas dite e jetës së Kamorrës, emri napolitan i Mafias italiane. Napoli është vendi ku zhvillohen ngjarjet, një vend që e shpalos shoqërinë si një trup që është bartës i Kamorrës.


Historia e ndarë në pesë linja narrative është shkruar nga Maurizio Braucci, Ugo Chiti, Gianni Di Gregorio, Matteo Garrone, Massimo Gaudioso, Roberto Saviano.
E ndërtuar në zhanrin e dramës së krimit, shumë afër dramës dokumentare, "Gomorra" është cilësuar një vepër klasike moderne.


Interpretojnë Salvatore Abruzzese, Gianfelice Imparato, Maria Nazionale, Toni Servillo, Carmine Paternoster, Salvatore Cantalupo, Gigio Morra, Marco Macor, Ciro Petrone.
Zgjat 135 minuta.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›