E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Pango të lërë mandatin

Kryerepublikani vlerëson si të nevojshme ndërhyrjen e qeverisë, për të përcaktuar norma të qarta të sjelljes dhe etikës së administratës


Sjellja e Pangos, e turpshme

TIRANË- Presidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, dënon si të papranueshëm gjithë përmbajtjen e videos së skandalit të ish-ministrit Ylli Pango, por, megjithatë, vlerëson se këtij debati të mëpasëm, duhet t'i jepet fund.


Gjithashtu, duke iu referuar edhe sulmeve familjare që PD-ja i ka bërë ditët e fundit kreut të PS-së, Edi Rama, Godo gjykon se lufta politike duhet të përqendrohet tek idetë dhe jo tek problemet e familjarëve të politikanëve.


Ditët e fundit, opinioni publik është njohur me një video-skandal, ku ish-ministri i Kulturës tentonte të joshte një vajzë, në shkëmbim të një vendi pune. Ju, si do ta gjykonit?
Unë them, mjaft më me Pangon.


Ai ka shpërdoruar detyrën. Është sjellë pa respekt ndaj femrës, ka përdorur karrigen e ministrit për ta ulur femrën në gjunjë dhe kjo nuk është dashuri e lirë, por dhunë.


Pango duhet të turpërohet për këtë sjellje, për shpërdorimin e detyrës dhe, përveç largimit nga detyra e ministrit, duhet të lërë dhe mandatin e deputetit.


Mbase duhet parë sesi e ka drejtuar ministrinë, pasi ditët e fundit është folur edhe për abuzime financiare, por me këto duhet të merren organet e hetimit, por ai nuk duhet të linçohet dhe as duhet të shihet, as si i vetmi mëkatar në këtë botë.


Unë do të dëshiroja që ai të gjente një sistemim tjetër në jetë dhe kjo të mbyllet me kaq, në qoftë se duam vërtet të ruajmë dinjitetin dhe të merremi me problemet e vërteta të këtij vendi.


Ju, personalisht, kur patë ato pamjet, si u ndjetë?


U ndjeva keq, sepse në përgjithësi, skandalet më prishin gjakun, por megjithatë, janë një realitet i jetës dhe nuk ke sesi i përjashton.


Mendova se është qartësisht një rast i dënueshëm dhe Berisha u duk se në atë rast veproi në mënyrë instiktive, por ishte veprimi më i drejtë që mund të bënte.


Mund ta merrte përpara këtë masë, pasi është pranuar edhe nga vetë zëvendëskryeministri, se Berisha kishte dijeni për këtë video para se ajo të transmetohej?


Është një tjetër gjë të kesh të dhëna dhe tjetër gjë të kesh një fakt në dorë. Në rast se do të nisesh këtu nga informatat që qarkullojnë për njëri-tjetrin, unë po them se në vendin tonë nuk mbetet njeri në këmbë.


Por, ne nuk mund të vetë-asgjësohemi, por duhet të shohim me kujdes cila është e vërtetë dhe cila shpifje apo thashethem. Kjo, pasi, ka shumë shpifje dhe shumë thashetheme, ashtu siç ka dhe disa të vërteta.


Ju shpreheni se nuk është i vetmi në këtë botë, kjo do të thotë se në botën shqiptare, të paktën, ky është një fenomen i përhapur?


Dashuria është një element themelor për jetën dhe ajo zhvillohet në mënyrë të natyrshme, por njerëzit duhet të përcaktojnë në vetëdijen e tyre dhe disa parametra.

Pra, një herë të mos poshtërohet femra, të mos ushtrohet dhunë ndaj saj, sidomos në raste të tilla, kur i bëhet presion në këmbim të një vendi pune apo të diçkaje tjetër, siç mund të jetë përdorimi i parave.


Por, beqarët, doemos, gjithandej në botë përpiqen të joshin femra dhe kështu është ndërtuar jeta dhe kjo s'ka sesi të jetë ndryshe. Por, kur bëhet fjalë pastaj për figura publike dhe për kalimin e caqeve të një shoqërie normale, atëherë krijohet shqetësim dhe duhet të preokupohet shoqëria.


Pjesë e skandalit të kësaj videoje nuk ishte thjesht ngacmimi seksual, pasi në të, vetë ish-ministri fliste për një skemë të përvetësimit të fondeve publike nëpërmjet rrugëve jo të ligjshme.


Sa përbën ky rast një tregues se administrata publike funksionon jo sipas ligjeve?


Rasti i një individi nuk mund të merret si kampion dhe të përgjithësohet. Çdo ministër, çdo funksionar ka llogarinë e tij personale dhe nuk mund të lidhet i gjithë pylli me një litar dhe të themi se, meqë kjo shpërtheu me një vend, kështu qenka gjithandej.


Do të ishte krejt absurde që të bëhej një supozim i tillë dhe, mbi të gjitha, askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë supozim, nëse nuk ka fakte në dorë.


Sa do të ndikojë një skandal i tillë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi duket se koha deri në to është shumë e shkurtër për të rikuperuar?


Në rast se do të ecë kështu si ka zënë, domethënë në rast se do të ketë një ndeshje të palëve të bazuar në lakuriqësinë fizike të njëri-tjetrit, atëherë do të krijohet një atmosferë mbytëse dhe imorale.


Kjo do të thotë se palët nuk kanë argumente ideologjikë për të debatuar dhe merren më tepër me çështje që mbajnë erë rrugaçërie. Prandaj them se kjo nuk duhet të shkojë më tej, por të mbyllet me kaq.

Nuk them se gjëra të tilla i bëjnë mirë kësaj mazhorance, por s'mund të them edhe se qytetarët do ta gjykojnë atë nga aventurat e një individi.


Ai është vetëm një individ dhe nuk është se përfaqëson një rrymë, kështu që mua do më dukej me të vërtetë e papranueshme që të mendosh se, nga rasti i një njeriu, të vendoset për fatin e një force politike apo të një koalicioni.

Nuk më duket se do të ketë efekte të tilla, njerëzit i kanë mendtë në kokë dhe dinë të gjykojnë.


Përveç anës së shëmtuar që përcolli, a solli kjo ngjarje dhe diçka pozitive?


Vlen të thuhet ajo shprehja e urtë se, çdo e keqe e ka dhe një të mirë.
Pas kësaj, unë them se ministrat, drejtorët, shefat, duhet të shikojnë rrotull tyre, se ndoshta diku kanë rrëshqitur pa dashur. Administrata nuk është një fushë konkursi bukurie.

Duhet parë nëse është zgjedhur më e bukura në vend që të zgjidhej më e afta, sepse në këtë rast do të kishim të bënim, në radhë të parë, me një diskriminim shoqëror, me një lloj racizmi, le të themi, përveç asaj që, dobësohet dhe eficenca e administratës.

Gjithnjë duhet të veprojmë si drejtësia që ecën me sy mbyllur, pra nuk duhet të shohim njeriun në sy, të shohim fizikun, pra pamjen e tij të jashtme, por të shohim se çfarë ka në dosje, cili është kurrikulumi i tij dhe të vihen në provë dhe aftësitë, pra të funksionojë konkurrimi.

Unë them se në administratë ka gjera të tilla për t'u parë, se kjo bie në sy nga jashtë. Gjithandej në administratë shohim goca të bukura.

Unë s'kam asgjë kundra të bukurës, sepse atë e do kushdo, por kjo nuk duhet të ketë ndikim në seleksionimin e njerëzve, në rekrutimin e personelit.

Në këtë drejtim, them se administrata duhet të rishikojë veten dhe ndoshta qeveria duhet të rishohë se çfarë rregullash duhet të zbatohen në etikën, në paraqitjen dhe në sjelljen e administratës në përgjithësi, për të pasur një administratë të kulturuar dhe, mbi të, gjitha eficente.


Ndërkohë që, për këtë debat është gjykuar jo pak dhe roli medias, duke u cilësuar edhe nga vetë Pango si provokuese. Faktikisht, sa duhet opinioni publik të dijë në lidhje me jetën e të zgjedhurve të tyre?

Unë mendoj se opinioni publik ka të drejtë të informohet për jetën private të një ministri apo të një politikani, pasi duhet të dijë me kë ka të bëjë dhe në është i drejtë dhe i besueshëm, duhet të dijë nëse është një familjar i mirë.

Megjithatë, ai s'mund ta ndjekë atë kudo, pasi edhe ministri ka një jetë private dhe është krejt e palejueshme pastaj që t'i ngresh kurthe.

Në rast se do të krijohet një atmosferë e tillë histerike, do të ishte e vështirë që të gjenim ndonjë që të pranonte të bëhej ministër. Unë, masmedias i jap në tërësi të drejtë, sepse misioni i saj është i pazëvendësueshëm dhe në këtë rast ishte një lëvizje e dobishme.


Nuk nisem nga ajo, a ishte e kurdisur apo ishte një rastësi, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre që e kanë realizuar, por është një fakt që ky ministër e ftoi atë vajzë në shtëpinë e vet, e ktheu shtëpinë në zyrë dhe atje përdori karrigen e ministrit për t'u imponuar.

Lind pyetja nëse duhet të hynte media deri në këtë dhe të bënte rolin e dedektivit? Unë them se kur ka raste të skandaleve të rënda, atëherë masmedia mund të bëhet dhe investigative. Pra, kur është në terrenin e duhur dhe kur sheh se ka diçka vërtet eksplozive dhe që kërkon të hetohet në dobi të opinionit publik dhe vendit.
Intervistoi:

Veprimi i Pangos


Unë them, mjaft më me Pangon. Ai ka shpërdoruar detyrën. Është sjellë pa respekt ndaj femrës, ka përdorur karrigen e ministrit për ta ulur femrën në gjunjë dhe kjo nuk është dashuri e lirë, por dhunë. Pango duhet të turpërohet për këtë sjellje, për shpërdorimin e detyrës dhe, përveç largimit nga detyra e ministrit, duhet të lërë dhe mandatin e deputetit.



Për Berishën


Është një tjetër gjë të kesh të dhëna dhe tjetër gjë të kesh një fakt në dorë. Në rast se do të nisesh këtu nga informatat që qarkullojnë për njëri-tjetrin, unë po them se në vendin tonë nuk mbetet njeri në këmbë. Por, ne nuk mund të vetasgjësohemi, por duhet të shohim me kujdes cila është e vërtetë dhe cila shpifje apo thashethem. Kjo, pasi ka shumë shpifje dhe shumë thashetheme, ashtu siç ka dhe disa të vërteta.


Për akuzat


Në rast se do të ecë kështu si ka zënë, domethënë në rast se do të ketë një ndeshje të palëve të bazuar në lakuriqësinë fizike të njëri-tjetrit, atëherë do të krijohet një atmosferë mbytëse dhe imorale. Kjo do të thotë se palët nuk kanë argumente ideologjikë për të debatuar dhe merren më tepër me çështje që mbajnë erë rrugaçërie. Prandaj them se kjo nuk duhet të shkojë më tej, por të mbyllet me kaq.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›