Bllokohen nga policia 2.6 kg kokainë
Eduart Çela, 39 vjeç, nga Fushë- Kruja, u arrestua nga efektivët blu pasi iu shmang një postblloku në Lezhë
Sipas hetuesve të antidrogës se vlera e kokainës së sekuestruar në tregun me pakicë kapte vlerën e 250 mijë eurove
Uniformat blu ndaluan natën e së shtunës një shtetas, ndërsa sekuestruan një sasi kokaine prej 2,624 kg, me një vlerë në treg që do të shkonte rreth 250 mijë euro. Në pranga u vu shtetasi nga Kruja Eduart Çela, 39 vjeç, ndërsa kanë nisur hetimet se ku është marrë droga dhe cili ishte destinacioni i saj. Ndërkohë, po hetohen lidhjet e 39-vjeçarit me persona të tjerë.
Mbrëmjen e së shtunës, policia rrugore e Lezhës, e cila po patrullonte në superstradën Fushë-Krujë- Lezhë, ka hasur në një automjet të dyshimtë, i cili në momentin që ka parë uniformat blu ka shtuar shpejtësinë dhe nuk është ndalur.
Si rrjedhojë, nga ana e policisë janë njoftuar në radio kolegët e rretheve të tjera për ndalimin dhe kontrollin e automjetit tip "Kia", me targa DR 1982 D, i cili i ishte drejtuar Durrësit ose Tiranës. Ndalimi është realizuar rreth dy orë më pas, ndërsa protagonist i ngjarjes ishte 39-vjeçari Eduard Çela, banor i Fushë-Krujës.
Në automjetin e tij u gjet një sasi prej 2,624 kg kokainë, e cila ishte e ndarë në 5 pako. Përveç drogës, në makinë u gjetën edhe 36 000 lekë dhe 900 euro. Pas kontrollit të ushtruar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se droga e gjetur nuk i përkiste atij.
Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për ndalimin e automjetit ka qenë vetëm reagimi i dyshimtë i drejtuesit të saj, ndërkohë që blutë nuk kishin informacion se në makinë mund të ndodheshin lëndë narkotike. Ishte pikërisht kontrolli rutinë i një pjese të superstradës Fushë-Krujë - Lezhë, e cila më shumë qëndron në kontrollin e shpejtësisë së automjeteve edhe për shkak të aksidenteve të shumta në këtë aks rrugor, që çoi në zbulimin e Eduard Çelës.
Ndjekja e automjetit nga policia e Durrësit dhe Tiranës zgjati më pak se dy orë. Në momentin e bllokimit në rrugë ai nuk paraqiti rezistencë, por mohoi se droga e gjetur i përkiste atij. Ndërkohë, sasia e kokainës ishte 2,624 kg, e shpërndarë në 5 pako, me një vlerë në treg prej 250 mijë eurosh.
Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e vendit të nisjes dhe destinacionit të drogës, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ishte për tregun vendas apo atë të huaj. Blutë shprehen se për hetimet do të përdoren tabulatet e telefonave dhe rrethi shoqëror i të arrestuarit.