E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Birçe Hasko, artisti që i dha shpirt skenës dhe ekranit shqiptar

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit Birçe Hasko, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në teatër, film dhe edukimin e brezave të rinj të artistëve.

“Për dekada me radhë, ai solli në skenë dhe ekran personazhe të dashura për publikun, duke u kthyer në një prej figurave më të veçanta të teatrit dhe filmit shqiptar”, u shpreh Gonxhja.

Ministri theksoi se publiku do ta kujtojë Birçe Haskon për interpretimet e spikatura në filma si “Radiostacioni”, “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Dhe vjen një ditë”, “Shkëlqim i përkohshëm” dhe “I dashur armik”, si edhe për rolin e paharrueshëm të Milos në komedinë “Shi në plazh”.

“Përveç kontributit të çmuar në skenë dhe ekran, Birçe Hasko mbetet edhe një nga pedagogët më të rëndësishëm të aktrimit në Shqipëri, i cili deri në vitet e fundit formoi dhe frymëzoi breza të tërë artistësh të rinj, duke përcjellë me përkushtim përvojën, disiplinën dhe dashurinë për skenën”, u shpreh ministri.

Me humorin spontan, interpretimin plot ritëm dhe karakteret popullore që mbartnin shpirtin e jugut, Birçe Hasko krijoi një stil unik artistik, që mbetet pjesë e historisë së kinematografisë shqiptare.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, kolegët, studentët dhe gjithë komunitetin artistik.

Aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer artistike dhe pedagogjike në kulturën shqiptare.

/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›