FOKUS – Kina merr masa ekstreme për minierat e paligjshme, pas aksidentit tragjik

PEKIN, 23 maj /ATSH-AFP / – Qeveria kineze ka urdhëruar një fushatë kombëtare goditjeje kundër aktiviteteve të paligjshme minerare, pas shpërthimit në një minierë qymyri, që shkaktoi 90 viktima.
“Të gjitha rajonet dhe autoritetet kompetente duhet të ndërmarrin operacione të rrepta goditëse kundër aktiviteteve të paligjshme dhe të jashtëligjshme, si dhe të hetojnë dhe ndëshkojnë me rigorozitet personat përgjegjës”, citoi agjencia e lajmeve Hsinhua urdhrin e autoriteteve qendrore.
Masat synojnë forcimin e sigurisë në sektorin minerar dhe parandalimin e aksidenteve të ngjashme, pas tragjedisë së rëndë që ka tronditur industrinë e minierave në Kinë.
Të paktën 90 persona kanë humbur jetën nga një shpërthim në një minierë qymyri në veri të Kinës.
Shpërthimi i gazit ndodhi në minierën e qymyrit “Liushenyu”, e operuar nga kompania “Tongzhou Group”, në provincën Shanxi.
Qindra forca shpëtimi janë dërguar në vendngjarje. Pamjet e transmetuara nga mediet shtetërore treguan personel të urgjencës, që transportonin barela në zonën e aksidentit, ndërsa ambulancat prisnin në gatishmëri.
Më shumë se 100 persona raportohet se janë dërguar në spital, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë
Pas incidentit, presidenti kinez, Xi Jinping kërkoi që të mos kursehej asnjë përpjekje për trajtimin e të plagosurve dhe kërkimin e të mbijetuarve.
Ai gjithashtu urdhëroi hetim të plotë mbi shkaqet e aksidentit dhe kërkoi që përgjegjësit të vendosen para drejtësisë./ /Ad.Ab./ a.jor.