E Diel, 1 Nëntor 2026

LETONI – Një tjetër dron rrëzohet pranë kufirit me Bjellorusinë

RIGA, 23 maj /ATSH–DPA/ – Një tjetër dron është rrëzuar në Letoni, mes tensioneve në rritje për incidente të ngjashme në rajonin e Baltikut, duke shtuar shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të përhapet edhe në vendet fqinje anëtare të NATO-s.

”Mjeti ajror pa pilot u rrëzua në liqenin Dridzis, në komunën e Kraslavës, rreth 20 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, dhe shpërtheu në momentin e përplasjes me sipërfaqen e ujit”, njoftoi sot policia letoneze.

Nga incidenti nuk pati të lënduar.

Ngjarja u raportua fillimisht nga banorët e zonës, ndërsa autoritetet nuk dhanë menjëherë detaje mbi origjinën apo llojin e dronit.

Sipas policisë, në vendin e rrëzimit u gjetën mbetje të dronit dhe ekipet e emergjencës u dërguan në terren për të kryer hetimet.

Kryeministrja në detyrë, Evika Silina, e cila së fundmi dha dorëheqjen pas një incidenti tjetër me dron, shkroi në rrjetin social X se është në kontakt me autoritetet përgjegjëse dhe po pret informacione të mëtejshme.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.

Sipas ushtrisë letoneze, hyrja e dronit në hapësirën ajrore të vendit nuk u zbulua nga sistemet e radarëve.

Për këtë arsye, banorëve të rajonit nuk iu dërguan njoftime paralajmëruese në telefonat celularë për një kërcënim të mundshëm ndaj hapësirës ajrore.

Letonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë në lindje, ka regjistruar muajt e fundit një shtim të incidenteve me dronë të lidhura me luftën në Ukrainë.

Fenomene të ngjashme janë raportuar edhe në Lituani dhe Estoni./ /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›