E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Diskutime me sektorin privat për modelet e reja të zhvillimit turistik

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Në kuadër të nismës “Next in Tourism” u zhvillua një takim i zgjeruar mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe aktorëve të sektorit të turizmit, me fokus ecurinë, sfidat dhe perspektivat e industrisë turistike në Shqipëri, në kontekstin rajonal dhe ndërkombëtar.

Në aktivitet morën pjesë operatorë turistikë, sipërmarrës dhe përfaqësues institucionesh, të cilët diskutuan mbi zhvillimin e modeleve të reja të turizmit, me theks të veçantë turizmin detar e mesdhetar, si dhe rolin e turizmit kulturor, sportiv, guidave dhe natyrës në zgjerimin e ofertës turistike.

Gjatë takimit u analizua rritja e qëndrueshme e sektorit, ku u theksua se prioritet mbeten përmirësimi i cilësisë së shërbimit, ruajtja e mjedisit dhe forcimi i identitetit lokal, si elementë kyç për zhvillimin afatgjatë të turizmit në vend.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi mes institucioneve dhe sektorit privat.

“Në kuadër të nismës ‘Next in Tourism’, ndamë ide dhe eksperienca në një takim përfshirës mbi ecurinë dhe sfidat e industrisë së turizmit dhe situatën rajonale e kontekstin shqiptar”, u shpreh Gonxhja.

Ai theksoi gjithashtu rolin e bashkëpunimit të gjerë institucional dhe profesional në zhvillimin e sektorit.

“Ndoqa me shumë interes diskutimin e hapur me operatorët turistikë, sipërmarrës dhe përfaqësues institucionesh mbi modelet dhe perspektivën e re të zhvillimit të turizmit në Shqipëri”, u shpreh ministri.

Sipas tij, fokusi mbetet te turizmi i qëndrueshëm dhe përmirësimi i standardeve të shërbimit.

Gjatë këtij takimi u analizua rritja e qëndrueshme turistike, ku prioritet mbetet cilësia e shërbimit, ruajtja e mjedisit dhe forcimi i identitetit lokal, paralelisht me zhvillimin e turizmit kulturor e sportiv, guidave turistike ku bukuritë natyrore luajnë një rol të rëndësishëm.

Në përfundim, pjesëmarrësit vlerësuan se “Next in Tourism” shërben si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e partneriteteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në tërësi.

1 nga 3

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›