Gonxhja: Familjarët e Nokës përfituan banesa në Sarandë e Tiranë; Deputeti: Janë blerë cent më cent

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i ka kthyer një përgjigje deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka duke i kujtuar këtij të fundit kohën kur ka qenë anëtar i bordit drejtues të Entit Kombëtar të Banesave.
Gonxhja thotë se, vëllezërit dhe motra e Flamur Nokës kanë përfituar prej postit që ka pasur dikur deputeti për të marrë banesa në Sarandë dhe Tiranë.
“Zotëria në fjalë kur ka qenë anëtar i bordit drejtues i EKB-ë, sipas burimeve të cilave u referohet z. Noka për mua, edhe mua më lind e drejta të dyshoj fort se z. Noka nuk ka as gojë dhe as moral të më tregojë mua dhe askujt mbi integritetin dhe ndershmërinë time dhe tonën në rast se sipas asaj që më rezulton , në shpërdorim të pastër detyre dhe në konflikt të pastër interesi, përveç se ka përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave vetë dhe përveç se ka kryer një proces të pastër pastrimi parash me shitje dhe blerje banesash, rezulton se edhe shtetësja Lule Basha ka përfituar banesë duke mos e lidhur asgjë me Sarandën veçse faktit që është mesa duket e motra. Dhe mes përfituesve të tjerë nga EKB rezultojnë edhe Lulzim dhe Mevlan Noka, të cilët nëse janë vëllezërit e zotit Noka kemi një problem tjetër, nga Enti Kombëtar i banesave. Madje mes përfituesve shtohet edhe një shtetase belge Lucinda Faket, e cila raportohet se është bashkëshorte e një vëllai të z.Noka. Këto janë përfitime nga Enti Kombëtar i Banesave nga një prej atyre përfaqësuesve të cilët këtu na rreken për moral dhe ndershmëri”, tha Gonxhja.
Deputeti Flamur Noka iu përgjigj ministrit duke thënë se, motra e tij ka banesë në Sarandë, por asgjë nuk është përfituar nga shteti.
“Po ishe themelues i PD-së, ke qenë në lëvizjen e dhjetori 90’ është e vërtetë. Por nuk është faji ynë që ty të lakmoi hajdutëria dhe jo parimet dhe vlerat në të cilat tentove të bashkohesh me PD-në në fillim”, tha Noka.
“Po, njerëz të mi kanë apartamente në Sarandë të blera cent më cent janë me djersën e tyre. Asnjë nuk i është dhënë nga shteti”, u shpreh Noka.
/a.f/