Kuvendi miraton marrëveshjen me Zvicrën për fazën e dytë të programit “Bashki të forta”

TIRANË, 14 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kuvendi miratoi sot me 73 vota pro projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008”.
Protokolli synon të përmirësojë mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore duke vendosur disa mekanizma kyç, si ankesat individuale ku një individ ose grup pas ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike kombëtare mund të paraqesin ankesa në komitetin për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, në lidhje me pretendimet e tyre për shkeljen e këtyre të drejtave.
Po ashtu me 72 vota pro Kuvendi miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, që vepron përmes Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2”.
Marrëveshja ka disa programe që ndihmojnë pushtetin vendor për mirëfunksionimin e tyre me grante për fusha të ndryshme, si arsimi parashkollor, ekonomia, etj.
Projektligji vjen si sukses i fazës së parë të këtij projekti, ndërsa parashikon mbështetje për këshillat bashkiakë, arsimin parashkollor, menaxhimin e mbetjeve, etj.
Së fundi, Kuvendi miratoi me 73 vota pro projektvendimin “Për disa ndryshime të vendimit nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.
Sipas këtij projektvendimi, deputeti Andrea Mano emërohet anëtar në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik si dhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Andrea Mano bëri betimin si deputet i Partisë Demokratike, duke zënë vendin e Ervin Salianjit, i cili u dënua me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit. /m.m/j.p/