E Martë, 3 Nëntor 2026

Gonxhja: Lëvizja e lirë e punëtorëve, e drejtë themelore në tregun e përbashkët evropian


TIRANË, 14 prill/ATSH/ Në Luksemburg, mbahet sot Konferenca e katërt Ndërqeveritare, ku do të hapen negociatat për grup-kapitullin 2, “Tregu i Brendshëm”, që përfshin lëvizjen e lirë të mallrave, punëtorëve, kapitalit dhe shërbimeve, si dhe fusha kyçe si konkurrenca, shërbimet financiare dhe mbrojtja e konsumatorit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) drejton negociatat për 7 kapituj, një prej të cilëve është “Lëvizja e lirë e punëtorëve”, duke koordinuar punën e 10 institucioneve për të garantuar përmbushjen e standardeve të BE-së.

Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja tha se lëvizja e lirë e punëtorëve është një nga të drejtat themelore në tregun e përbashkët evropian.

Sipas tij, ajo u garanton qytetarëve shqiptarë të drejtën për të hyrë, punuar dhe jetuar në çdo shtet anëtar të BE-së me të njëjtat kushte si qytetarët evropianë, përfshirë mbulimin nga sigurimet shoqërore, përfitimet sociale, tatimet dhe kushtet e punës.

“Shqipëria po hedh hapa të sigurt drejt të ardhmes evropiane, me më shumë të drejta, më shumë mundësi dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar”, theksoi ministri Gonxhja.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›