Marrëveshje tregtare mes Portit të Durrësit dhe atij të Valdaros në Mantova

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Në qytetin e Mantovës (Itali) u nënshkrua sot një marrëveshje bashkëpunimi tregtar ndërmjet Portit të Durrësit dhe Portit të Valdaros, që synon forcimin e lidhjeve logjistike dhe zhvillimin e transportit të kombinuar mes Shqipërisë dhe Italisë.
Në ceremoninë zyrtare mori pjesë edhe drejtori i Divizionit të Marrëdhënieve Tregtare në Autoritetin Portual Durrës, Donjet Zeneli.
Presidenti i Provincës së Mantovës, Carlo Bottani, e cilësoi këtë një ditë historike për krahinën që ai drejton.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje mes Autoritetit Portual të Mantovës dhe atij të Durrësit është një hap strategjik që certifikon rëndësinë qendrore të Mantovës dhe sistemit të saj lumor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke e pozicionuar atë si një nyjë të rëndësishme në hapësirën mesdhetare”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Zeneli u shpreh se “ky protokoll përfaqëson më shumë se një marrëveshje institucionale, ai është një deklaratë vullneti të përbashkët për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë në fushën e transportit, logjistikës, infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.
Marrëveshja synon të lehtësojë shkëmbimet tregtare, të nxisë investimet dypalëshe dhe të përmirësojë zinxhirët e furnizimit përmes një bashkëpunimi më të ngushtë ndërportual.
1 nga 2
/k.s/r.e/a.f/