E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonxhja: Miratohet Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur para medieve se sot në Këshillin e Ministrave u miratua Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030, në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit, përfshirjen në proceset e integrimit evropian dhe angazhimet ndërkombëtare të vendit në fushën e artit dhe të kulturës.

Ministri shpjegoi para gazetarëve se, në parim, konferenca u organizua për dy sektorët: Art-Kulturë dhe Sport, meqenëse ka pasur një interesim mediatik për zhvillimet në ekosistemin e sportit.

Duke u përqendruar te Strategjia Kombëtare e Kulturës, Gonxhja tha se ajo synon të forcojë rolin e kulturës si faktor zhvillimi shoqëror, ekonomik dhe territorial, duke kontribuar në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e kohezionit social, zhvillimin e balancuar të territorit dhe konsolidimin e vlerave demokratike.

“Objektivi afatgjatë është që, deri në vitin 2030, Shqipëria të konsolidojë pozicionin e saj si një qendër kulturore me rëndësi në Ballkanin Perëndimor dhe si një aktore aktive e hapësirës kulturore europiane, duke mbështetur zhvillimin e një ekosistemi kulturor të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe sa më inovativ”, u shpreh Blendi Gonxhja, gjatë konferencës për mediet.

Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 përcakton një paketë reformash, ku përfshihet rishikimi i Ligjit për Artin dhe Kulturën, modernizimi i normave për mbrojtjen e trashëgimisë, si dhe vendosja e statusit të artistit si një kuadër ndërsektorial.

Strategjia promovon edhe turizmin kulturor, duke ofruar përvoja autentike të krijimtarisë, artizanatit dhe arteve skenike.

Ministri u ndal edhe në modelin financiar të strategjisë, i cili është ndërtuar mbi alternativa plotësuese financimi që sigurojnë si vazhdimësi, ashtu edhe inovacion në forcimin e financimit të sektorit, ku aktualisht fondet ekzistuese për kulturën janë rreth 4 miliardë lekë në vit. Gonxhja tha se, përveç këtyre fondeve, do të ketë burime të jashtme dhe plotësuese, një komponent të cilin ministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm.

Nga thirrjet e shpallura në sektorin Art-Kulturë, ministri Gonxhja tha se këto kanë sjellë si rezultat 1700 evente në gjashtë muajt e parë të vitit, me një rritje prej 26% më shumë se sa viti i kaluar.

Gonxhja tha se ky është një reflektim i rritjes së financimit dhe trefishim nga koha kur e mori këtë detyrë, kohë gjatë së cilës është rritur financimi direkt (mbështetja buxhetore direkte) për të gjithë skenën e institucioneve tona artistike e kulturore.

Gjatë konferencës për mediet, kreu i MTKS tha se janë bërë konsultime publike për Ligjin për Sponsorizimet, i cili ka të bëjë me sportin dhe që do të hapë një dritare dhe një burim shumë më të madh të një financimi direkt, i cili vjen si një formë prokurimi direkt, pasi do të jenë para që vijnë nga biznesi për kulturën, sportin dhe rininë, ku kjo e fundit është e përfshirë gjithkund.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›