E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: 26 738 mjete të reja u regjistruan në tremujorin e dytë, Tirana kryeson me 44,5%

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Numri i mjeteve rrugore në qarkullim në territorin e Shqipërisë arriti në 1.092.726 në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, autoveturat vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të flotës së mjeteve në vend, me 80,7% të totalit. Pas tyre renditen motorët me 6,3% dhe automjetet për transport të përzier me 5,8%.

Tirana vijon të ketë përqendrimin më të madh të mjeteve rrugore në vend, me 34,8% të totalit kombëtar, e ndjekur nga Durrësi me 13,7%. Ndërkohë, qarqet me numrin më të ulët të mjeteve në qarkullim janë Gjirokastra me 2,1% dhe Kukësi me 2,4%.

Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026 janë regjistruar për herë të parë 26.738 mjete rrugore, ku 78,7% e tyre ishin autovetura. Edhe në regjistrimet e reja, Tirana kryeson me 44,5% të totalit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, regjistrimet e reja të mjeteve kanë shënuar një rënie të lehtë prej 0,9%, pavarësisht rritjes së numrit total të mjeteve në qarkullim.

Sipas markave të automjeteve të regjistruara për herë të parë, Volkswagen kryeson me 16,4% të totalit, i ndjekur nga Mercedes-Benz me 14%, Audi me 9,8% dhe Hyundai me 7,1%. Në vendin e pestë renditet BYD me 6,8%, duke reflektuar rritjen e pranisë së automjeteve elektrike dhe hibride në tregun shqiptar.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›