Gonxhja: Trashëgimia e lahutarit Jonuz Delaj mbetet e pavdekshme

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Lahutari i njohur i Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të rrallë në ruajtjen e Eposit të Kreshnikëve dhe të traditës së lahutës shqiptare.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh se, me largimin e Jonuz Delajt, kultura shqiptare humbi jo vetëm një lahutar, por një epokë të gjallë të kujtesës historike dhe të traditës gojore shqiptare.
Ai theksoi se Delaj, i ardhur nga Malësia e Madhe dhe i njohur si “magjistari i lahutës”, mbeti deri në fund një nga interpretuesit më autentikë të këngëve epike të trashëguara brez pas brezi.
Gonxhja vlerësoi se Jonuz Delaj e mbarti lahutën si pjesë të qenies së tij, duke e kthyer atë në një dëshmi të identitetit dhe historisë shqiptare, të ruajtur përmes zërit, kujtesës dhe forcës shpirtërore, pa shkrim dhe pa skenografi.
Ministri kujtoi gjithashtu se sot kjo trashëgimi merr një domethënie edhe më të madhe, në një kohë kur lahuta shqiptare gëzon statusin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, duke nderuar figura si Delaj që e kanë ruajtur në formën e saj më të pastër.
Gonxhja u shpreh se institucionet shqiptare mbeten të angazhuara për ruajtjen, përcjelljen dhe edukimin mbi këtë pasuri të rrallë kulturore, në mënyrë që tradita e Eposit të Kreshnikëve dhe lahuta shqiptare të vijojnë të jetojnë në kujtesën dhe identitetin kombëtar. /j.p/