ANALIZË – Netanyahu sërish nën presion për t’iu përshtatur interesave të Trump

LONDËR, 16 prill /ATSH/- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu po përballet sërish me presion, për t’iu përshtatur interesave të presidentit amerikan Donald Trump, në një rast tjetër që tregon tensione mes prioriteteve të Uashingtonit dhe qëndrimeve të Izraelit në rajon, sipas BBC.
Sipas analizave, kjo situatë shihet si një shembull i ndikimit të kërkesave të Trump, për të frenuar përshkallëzimin e luftimeve në rajon, edhe kur kushtet apo koha nuk janë në favor të Izraelit.
Irani ka kërkuar ndalimin e operacioneve izraelite në Liban, që prej pezullimit të përkohshëm të përplasjeve me SHBA-në, më shumë se një javë më parë.
Ndërkohë, pasi fillimisht deklaroi se fushata ushtarake e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban ishte një çështje e ndarë, Trump tha këtë javë, se po përpiqej të siguronte “një pauzë pushimi” mes Izraelit dhe Libanit”, ndërsa vijon përpjekjet për një marrëveshje më të gjerë me Iranin.
Një media izraelite me reputacion raportoi se Netanyahu kishte thirrur në mënyrë të papritur Kabinetin e Sigurisë me vetëm pesë minuta njoftim, pak para shpalljes së armëpushimit.
Si Netanyahu ashtu edhe drejtuesit ushtarakë izraelitë kanë theksuar ditët e fundit se nuk ka armëpushim në Liban.
Ushtria izraelite vijon të mbajë pesë divizione në jug të Libanit, ndërsa zëdhënësi i saj deklaroi dje se operacionet do të vazhdojnë, me forca aktive në zonën e Bint Jbeil, një bastion kyç i Hezbollahut pranë kufirit.
Raportime mediatike nga Izraeli sugjerojnë gjithashtu se vendi nuk synon të tërhiqet nga pozicionet aktuale në territorin libanez.
Megjithatë, Netanyahu ndodhet sërish nën presion nga aleati amerikan për t’u përafruar me interesat e Uashingtonit — ndërsa përballet edhe një herë me divergjencat mes tyre. //a.i/