Gonxhja: Urat monument kulture i përballuan pa dëmtime reshjet e fundit, falë restaurimeve
Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sporti, Blendi Gonxhja deklaroi se urat monument kulture të kategorisë së parë në Shqipëri kanë përballuar pa asnjë dëmtim prurjet e mëdha të lumenjve pas motit të keq me reshje intensive.
Sipas ministrit, kjo qëndrueshmëri vjen falë ndërhyrjeve restauruese të kryera me profesionalizëm dhe duke respektuar besnikërisht arkitekturën origjinale të veprave historike.
Restaurimet kanë përfshirë ura të rëndësishme në disa qarqe të vendit, nga Ura e Mesit në Shkodër te Ura e Zogut (Faza I), si edhe urat e trashëgimisë kulturore si Ura e Golikut dhe Shën Prodhomit në Voskopojë, Ura e Nicës në Pogradec, si dhe urat e Glinës dhe Haskovës në Gjirokastër.
Ministri tha se këto vepra historike po dëshmojnë se restaurimet e kryera jo vetëm ruajnë integritetin e monumenteve, por kanë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e tyre ndaj kushteve të vështira atmosferike.
“Falë ndërhyrjeve restauruese të kryera me profesionalizëm duke respektuar në çdo detaj arkitekturën origjinale të urave monument kulture të kategorisë së parë në Shqipëri, nga Ura e Mesit në Shkodër tek Ura e Zogut (FAZA I), nga Ura e Golikut dhe Shën Prodhomit në Voskopojë tek Ura e Nicës në Pogradec, dhe deri tek urat e Glinës dhe të Haskovës në Gjirokastër, këto vepra historike po i përballojnë pa asnjë dëmtim prurjet e mëdha të lumenjve pas motit të keq me shi, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e rikthyer dhe rëndësinë jetike të restaurimit të tyre”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/