Berisha: Deklarata e Marta Kos, shkel ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të artikuluara më herët nga zyrtarja e lartë e BE-së Marta Kos në raport me zgjedhjet e 11 Majit të cilësuara prej saj si të lira e të ndershme. Berisha thekson se deklarata e Kos bie ndesh me ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve, si dhe me ligjin kombëtar.
“PD pas deklaratës së Marta Kos, bëri një deklaratë në të cilën ajo e dënoi publikisht dhe gjerësisht deklaratën e frymëzuar të znj.Kos nga propaganda e paguar e Edi Ramës. Një deklaratë që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin kombëtar”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit ndërsa përsëriti edhe njëherë mbështetjen e opozitës ndaj procesit të integrimit europian, theksoi se Shqipëria nuk plotëson asnjë prej kritereve që kërkohen për anëtarësim.
“Ajo çka dua të them, sot lexova se ka patur reagim nga ana e zëdhënësit të PE që shpreh qëndrimin korrekt të PE të papajtueshëm me qëndrimin e Marta Kos.
Ndaj falënderoj komisionin për reagimin dhe garantoj se PD mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit dhe theksojmë se sot Shqipëria nuk plotëson asnjë prej kushteve e kritereve që kërkohen për këtë anëtarësim”, tha ai.
/rtsh.al/