E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja publikon fotot nga Spaçi: Punime konservuese dhe jo ndërtime të pakontrolluara

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka publikuar foto nga punimet në ish-burgun e Spaçit që, sipas tij, provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese dhe jo ndërtime të pakontrolluara apo të paligjshme.

Ministri shkruan se nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe as tarracës mbi to, ndërsa për elementë të tjerë si një kullë metalike, rrethim, një portë dhe një fragment kangjelle, Gonxhja thotë se përfshihen në kontratë. Ai sqaron se ato do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike. Po ashtu, ato, sipas ministrit, do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim.

“Nisur nga disa debate që vijojnë edhe në mediume publike e rrjete sociale, shpresoj se pamjet nga Spaçi provojnë reagimin dhe situatën korrekte të punës konservuese. Mbi disa pikëpyetje shtesë: Nuk është pjesë e ndërhyrjes ringritja e banjove dhe tarracës mbi to, as nuk është aprovuar nga IKTK dhe as nuk përfshihet në projekt e kontratë! Elementet e tjerë si një kullë metalike, një copë rrethimi, një portë dhe një fragment kangjelle të përfshira në kontratë, do të realizohen vetëm pas zbërthimit të detajuar bazuar në foto e dëshmi historike si edhe do të jenë të çmontueshme në rast ndërhyrjesh të tjera në vijim sipas Planit të Menaxhimit (çdo informacion do të jetë publik). Çdo përgjegjësi gjatë fazës zbatuese është nën shqyrtim”, shkruan Gonxhja.

Punimet në ish-burgun e Spaçit kanë nxitur debate dhe kundërshti, teksa ish-të përndjekur politikë, familjarë të tyre dhe qytetarë u ngritën në protestë me pretendimin se ndërhyrjet po cenojnë kujtesën historike. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit reagoi të enjten (7 qershor), duke theksuar se ndërhyrja po bëhet për të ruajtur memorien historike. Sipas ministrisë, punimet që po bëhen në kudër të projektit filmik mbi Revoltën e vitit 1973, nuk bien ndesh me planin e menaxhimit të miratuar në vitin 2024, me vizionin që Spaçi të vazhdojë të jetë një vend i kujtesës dhe reflektimit personal dhe kolektiv.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›