Tirana blindohet për sfidën Shqipëri-Serbi, 1.500 forca sigurie, rrugë të bllokuara e kontrolle

Tirana ndodhet nën masa të rrepta sigurie për ndeshjen Shqipëri–Serbi që luhet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Rreth 1500 efektivë të Policisë së Shtetit janë dislokuar në terren për mbarëvajtjen e aktivitetit, përfshirë RENEA-n, FNSH-në, Antiterrorin dhe strukturat e SHISH.
Që prej orës 15:00, nisin kufizimet në akset rrugore në zonën përreth stadiumit. Qarkullimi i automjeteve do të jetë i ndaluar deri në përfundim të ndeshjes dhe shpërndarjen e tifozëve.
RRUGËT QË DO TË BLLKOHEN:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”
Rruga “Papa Gjon Pali II” pranë stadiumit
Rruga “Dervish Hima” pranë Ambasadës së SHBA-së
Rruga “Asim Zeneli” pranë Ambasadës së SHBA-së
Rruga “Themistokli Gërmenji” zona e Liqenit
Rruga “Gjergj Filipi” pranë stadiumit
Rruga “Lekë Dukagjini” nga ish-Garda deri te stadiumi
Rruga “Faik Konica” zona e Liqenit
Rruga “Skerdilajd Llagami” pranë “Air Albania”
Tifozët janë udhëzuar të paraqiten në hyrjet e stadiumit që në orën 18:00. Policia do të kryejë kontrolle të imtësishme për të ndaluar hyrjen e sendeve të ndaluara, si fishekzjarrë, flakadanë, banderola me përmbajtje raciste, apo objekte të forta dhe të rrezikshme.
Për mbarëvajtjen e trafikut dhe shmangien e grumbullimeve në qendër të Tiranës, autoritetet kanë caktuar disa pika të dedikuara parkimi për tifozët, të ndara sipas drejtimit të ardhjes dhe tipit të mjetit:
Parkimi për tifozët që vijnë nga rrethet
- Tifozët që vijnë nga Elbasani dhe Korça:
- Autobusët do të parkohen te parkingu pranë lokalit “Kalvin”.
- Automjetet e vogla do të ndalojnë te terminali pranë qytetit “Studenti”.
- Tifozët që vijnë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë:
- Autobusët do të parkohen te Terminali i përpunimit të automjeteve pranë mbikalimit të Kamzës.
- Automjetet e vogla do të orientohen drejt:
- Parkingut pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”,
- Parkingut nëntokësor në sheshin “Skënderbej”,
- Parkingut nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, pranë ish-stacionit të trenit.
Për herë të parë brenda stadiumit janë vendosur pajisje moderne si pushka anti-dron, ndërsa e gjithë zona mbulohet nga kamera me rezolucion të lartë. Deri tani nuk ka informacione për ndonjë rrezik konkret për incidente, por masat do të mbeten të forta deri në përfundim të aktivitetit.
Policia kujton se hyrja e paautorizuar në fushë, goditja e sportistëve, apo përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë aktivitetit sportiv dënohen me burgim deri në pesë vjet. Po ashtu, shpërndarja apo falsifikimi i biletave konsiderohet vepër penale dhe ndëshkohet sipas Kodit Penal.
/rtsh.al/