E Diel, 1 Nëntor 2026

Gonzato: Avokati i Popullit, shtyllë e demokracisë dhe kyç për integrimin europian

Gjatë prezantimit të raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, e cilësoi këtë institucion si një shtyllë themelore të çdo sistemi demokratik.

Ai theksoi rolin vendimtar të Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e llogaridhënies administrative publike, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të rikuperojnë të drejtat e shkelura.

“Zyra juaj është shtyllë themelore e çdo sistemi demokratik. Ju keni rol vendimtar në mbrojtjen e të drejtave dhe në garantimin e llogaridhënies administrative publike, duke u dhënë qytetarëve të drejtat që u shkelën.

Besimi publik është thelbësor që institucionet të përmbushin në mënyrë efektive mandatin e tyre, dhe ky rol është i rëndësishëm në kontekstin e procesit të anëtarësimit në BE. Mbrojtja e të drejtave të njeriut është thelbi i kapitujve themelorë dhe përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave të anëtarësimit”, tha Gonzato.

Ambasadori Gonzato theksoi edhe rolin thelbësor që ky institucion ka në procesin e integrimit të vendit në BE si dhe dëgjimin e zërit të shoqërisë civile për përmirësimin e demokracisë në vend.

“Inkurajoj institucionin të vijojë të mbajë një rol aktiv në reformat e qeverisjes dhe të përfshihet në diskutime. Roli i avokatit është funksion kyç për zgjedhje transparente dhe është mirëpritur nisma për të konsultuar me shoqërinë civile dhe grupet e interesit raportin vjetor, pasi rrit cilësinë, gjithëpërfshirjen dhe transparencën. Thelbësor është edhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit”, tha ambasadori.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›