E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në pallatin pranë QSUT, Xhaferri: Të futet urgjent në rend dite në Kuvend, duhet kuadër ligjor më i fortë

Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, ka kërkuar që në rendin e ditës së Kuvendit të përfshihet me urgjencë diskutimi për gjendjen dhe sigurinë e termoizolimeve në ndërtesat në Shqipëri, pas zjarrit që përfshiu një pallat pranë QSUT në Tiranë dy ditë më parë.

Duke iu referuar ngjarjes, Xhaferri shprehu solidaritet me banorët e prekur dhe u uroi shërim të shpejtë, ndërsa theksoi se duhet bërë çdo përpjekje për rimbursimin e dëmeve. Sipas tij, prioritet duhet të jetë parandalimi i tragjedive të tilla dhe jo vetëm menaxhimi i pasojave.

“Para dy ditësh në Tiranë ndodhi një katastrofë. Solidarizohemi me banorët dhe duhet të bëhet çdo përpjekje për rimbursimin e dëmeve. Këto lloj tragjedish duhet të shmangen më shumë sesa të riparohen”, u shpreh ai.

Xhaferri kërkoi që Kuvendi të diskutojë urgjentisht nëse ekziston kuadër ligjor që garanton sigurinë e ndërtimeve dhe termoizolimeve në vend, si dhe nëse të gjitha ndërtimet në Shqipëri përmbushin standardet e nevojshme të sigurisë.

Ai propozoi gjithashtu ngritjen e një komisioni hetimor për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, me qëllim, sipas tij, rritjen e sigurisë për qytetarët dhe parandalimin e tragjedive të ngjashme në të ardhmen.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›