Tabaku: Integrimi europian pa transparencë, kërkon debat në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në fjalën e mbajtur në Kuvend ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke kërkuar zhvillimin e një debati parlamentar të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Sipas saj, negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të trajtohen si një proces thjesht teknik dhe i mbyllur, por si një çështje politike me rëndësi kombëtare, ku Kuvendi dhe qytetarët duhet të jenë të informuar dhe të përfshirë. Tabaku theksoi se në vendet e rajonit, si Serbia, dokumentet dhe pozicionet negociuese bëhen publike dhe diskutohen, ndërsa në Shqipëri mungon transparenca si për publikun ashtu edhe për deputetët, duke lënë, sipas saj, opozitën jashtë procesit.
Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e komunikimit të procesit, duke u shprehur se integrimi nuk mund të reduktohet në prezantime “PowerPoint”, por kërkon diskutim real politik dhe institucional.
Në vijim, Tabaku ngriti edhe çështje konkrete që lidhen me standardet europiane, duke përmendur ligjin për portet turistike strategjike. Ajo tha se opozita ka ngritur shqetësime për mungesë gare dhe cenim të konkurrencës, duke kërkuar sqarime nëse këto çështje janë përfshirë në diskutimet e procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
/rtsh.al/