Gonzato: Shoqëria civile të japë kontributin e saj në procesin e integrimit në BE

TIRANË, 4 prill /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, Komiteti i Përbashkët Konsultativ do të japë kontributin e vetë për një proces negociatash më gjithëpërfshirës dhe më transparent.
I pranishëm në takimin inaugurues të Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social të BE, Gonzato u shpreh se, ky takim është një provë tjetër që Shqipëria po ecën përpara me integrimin e saj evropian.
“Ashtu siç e tha edhe Komisionerja Kos gjatë takimeve të saj në Shqipëri i gjithë ky proces është një proces, i cili përfshin të gjithë shoqërinë, pra nuk mund të lihet vetëm për qeverinë dhe për Kuvendin, por që organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces”, tha Gonzato.
Ai theksoi se, “vendet do të duhet që të përfshijnë shoqërinë civile në të gjithë punën që do të bëhet përpara se të bëhen pjesë e familjes tonë. Arsyeja për këtë është sepse të ecësh përpara me anëtarësimin në BE kërkon angazhim politik, mbështetjen e qytetarëve dhe përfshirjen aktive të shoqërisë civile”.
“Ky Komitet i Përbashkët Konsultativ që po lançojmë sot krijon pikërisht këtë gjë, hapësirën e duhur për shoqërinë civile që të luajnë rolin e tyre. Që do të thotë organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë, shoqatat e punëdhënësve, sindikatat dhe të gjitha organizatat e tjera”, theksoi ambasadori i BE.
Sipas tij, shoqëria civile mund të japë kontribut në këtë proces.
Gonzato nënvizoi se, “një shoqëri civile aktive në përkufizimin saj më të gjer është jetike për të bërë të mundur që qytetarët të kenë ndikimin e duhur që të marrin në dorë të mirat e reformave që sjellin anëtarësimin”.
Nga ana tjetër, shtoi ai, “qeveria mund të përfitojë nga ekspertiza që ka shoqëria civile në sektorë të ndryshëm, nga njohuritë tyre, për procesin e negociatave dhe këtu duhet që shoqëritë civile të luajnë një rol proaktiv në platforma të ndryshëm, për konsultim apo për pjesëmarrje në vendimmarrje, qofshin këto platforma të ndryshme të integrimit evropian apo të tjera”.
Gonzato u shpreh se, “në kontekstin e anëtarësimit në BE pjesëmarrja dhe konsultimi i shoqërisë civile në vendimmarrje është një pjesë shumë e rëndësishme e atyre temave që ne i quajmë themelore”.
“Për këtë arsye qeveria dhe Kuvendi kanë ndërmarrë disa angazhime si pjesë e udhërrëfyesit për funksionimin e institucioneve demokratike që u miratuan vitin e shkuar, synimi i të cilit është që të krijohet një hapësirë e duhur për të gjithë qytetarët. Pra një mjedis për shoqërinë civile duke përshirë edhe një klimë tatimore më të favorshme me stimujt e ndryshëm, si edhe me një kuadër fleksibël për ata që duan të punojnë si vullnetarë”, tha Gonzato.
Ambasadori i BE nënvizoi se, “vënia në zbatim e udhërrëfyesit do të jetë aspekti kyç për të matur edhe ecurinë që do të bëhet gjatë negocimit të grup-kapitullit numër 1”.
“Ne vlerësojmë gjithashtu edhe që qeveria e Shqipërisë me ndihmën dhe mbështetjen e BE-së ka kryer vlerësimin e dokumentit të vetë strategjik për bashkëpunimin me shoqërinë civile, e cila përfundoi në 2023-in”, tha ai.
Tashmë, shtoi Gonzato, “ka ardhur koha që qeveria në formë të gjerë dhe transparente të ndajë përfundimet e këtij vlerësimi që ka bërë dhe që të shikojmë dhe të punojmë më pas për rekomandimet”.
“Ne na duhet pikërisht një punë gjithëpërfshirëse dhe pjesëmarrëse për miratimin e strategjisë së re, duke detajuar gjithashtu çdo hap të mundshëm të dakordësuar për mbështetjen për shoqërinë civile”, tha ai.
Gonzato u shpreh se, “BE po dyfishon përpjekjet e saj që të promovojë një shoqëri civile të pavarur dhe aktive, kyçe kjo për demokracinë dhe në këtë kontekst edhe mediet e pavarura janë tejet të rëndësishme”.
Ai ritheksoi “vlerësimin për rolin që ka luajtur presidenti Ropke për lancimin e kësaj nisme, dhe natyrisht edhe qeverinë e Shqipërisë, që u bë kaq shpejt”.
“Kam besim që Komiteti i Përbashkët Konsultativ do të japë kontributin e vet për një proces negociatash më gjithëpërfshirës dhe më transparent si dhe një bashkëpunim më të plotë dhe të shëndetshëm ndërmjet autoriteteve nga njëra anë dhe partnerëve socialë dhe shoqërisë civile nga ana tjetër, për reformat që ka përpara Shqipëria”, tha më tej Gonzato.
/a.f//r.e/