E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Google" kërkon ndjesë për foton fyese të Mishel Obamës

"Google" ka kërkuar falje për publikimin e një fotoje fyese të Mishel Obamës, që ka dalë në motorin e kërkimit së fundmi. Fotoja ishte e disponueshme për të gjithë. Menjëherë pas publikimit të kësaj fotoje, për të kërkuar ndjesë, "Google" vuri mbi të shënimin "Rezultat kërkimi fyes", duke shtuar: "Ndonjëherë rezultatet e kërkimeve tona janë edhe fyese". Më pas fotoja është hequr nga fotot kryesore të Mishel Obamës, edhe pse duket se "Google" nuk ka ndërmend që ta heqë fare atë. Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë gjë. Për sa i përket "Google", motori i kërkimit sqaroi se gjetja e subjekteve bëhet përmes një teknike algoritmi, por nga ana tjetër tha se nuk do të heqë asnjë material, edhe pse mund të ketë ankesa. Për "Google", integriteti i kërkimeve është një prioritet shumë i rëndësishëm. Megjithatë, në rast se do të ketë vendime gjykate në lidhje me ankesa të ndryshme, mund edhe të hiqen foto apo shkrime. Ndërkaq, nuk janë dhënë hollësira në lidhje me foton dhe mënyrën se si ajo përfundoi në rrjet. Nëse do të fillonte bllokimi i fotove të ndryshme, atëherë "Google" nuk do të ishte ai motor kërkimesh që është sot, pra më i miri dhe më i klikuari online.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›