Regjisori Polanski lirohet me kusht nga gjykata zvicerane
Një gjykatë zvicerane ka pranuar shumën prej 4.5 milionë dollarësh si peng për të lënë më në fund të lirë regjisorin e famshëm, Roman Polanski, i cili që prej dy muajsh ndodhet në burg për akuzën e abuzimit seksual me të miturit. Në fakt, bëhet fjalë për një ngjarje të shumë viteve më parë. Polanski ndërkohë mund të qëndrojë në shtëpinë e tij në alpet zvicerane dhe do të monitorohet vazhdimisht nga një unazë metalike e policisë, që do t‘i vendoset në trup. 76-vjeçari ka qenë në kërkim nga policia amerikane që kur la vendin në vitin 1978, pasi u fajësua për kryerjen e marrëdhënieve seksuale të paligjshme me një 13-vjeçare. Dy muaj më parë u arrestua në Zyrih, ndërsa po vinte nga Franca. Të mërkurën, Gjykata Federale e Zvicrës pranoi shifrën e ofruar nga avokatët e Polanskit dhe oferta për të dorëzuar pasaportën. Gjykata tha se Polanski do të monitorohet nga një unazë metalike që do të vendoset me të dalë nga burgu, në mënyrë që të mos largohet pa leje. Nëse ai do të tentojë të largohet, unaza do të aktivizohet. Ndaj këtij vendimi, Ministra e Drejtësisë e Zvicrës ka 10 ditë afat për të apeluar, megjithatë Ministria e Drejtësisë tha se nuk shihte arsye përse duhej apeluar kundër vendimit. Ndërkohë, juristët kanë vënë re se rasti i këtij lirimi është shumë i rrallë, sepse nuk ndodh thuajse kurrë që një person i cili do t‘i nënshtrohet ekstradimit, të dalë me kusht në Zvicër. Polanski nuk ka shkelur në Shtetet e Bashkuara, që kur i la në vitin 1978 dhe gjatë kësaj kohe ka jetuar në Francë.