E Diel, 1 Nëntor 2026

Gorbaçov vlerëson Berishën: Je politikan real

Share

E ka pasur ditë të begatë sot kryeministri Sali Berisha. Në mëngjes ishte në përurimin e një qendre të gruas së tij, Liri Berishës. Fondacioni i saj ka ngritur një qendër për fëmijët autikë. Pasi kanë shkatërruar krejtësisht qendrën shtetërore për këtë çështje, familja Berisha ka vendosur të ketë një qendër të saj, pasi tashmë biznesni me fëmijët autikë është bërë shumë fitimprurës. Në faqen zyrtare të kryeministrisë nuk është publikuar asnjë njoftim.

Kurse pasdite, Berisha ka pritur në zyrën e tij presidentin e fundit të Bashkimit Sovjetik, Mikail Gorbaçov. Këtë të fundit ia solli në zyrë Rezart Taçi, president i federatës shqiptare të shahut, biznesmen i afërt me familjen Berisha. Gorbaçov ka mbërritur këtu si i ftuar nderi në Kampionatin Botëror të Shahut për Femra, që zhvillohet në Tiranë. Ndër vendet e kombet ish komuniste, – tha  Kryeministri – shqiptarët kanë ndjekur me admirim e vëmendje të madhe të gjitha lëvizjet tuaja, të cilat kanë pasur rëndësi historike për nxjerrjen e këtyre popujve nga diktatura, i tha Berisha Gorbaçovit.

Duke e konsideruar zotin Gorbaçov kurajë e shekullit të shkuar, Kryeministri tha se qëndrimin e tij ndaj murit të Berlinit dhe mesazhin që i dha udhëheqjes së Europës Lindore, nuk do ta harrojnë kombet e Europës dhe veçanërisht, Shqipëria, e cila njohu regjimin më të egër komunist diktatorial se çdo vend tjetër. Midis nomenklaturës dhe popullit, – theksoi Kryeministri – ju zgjodhët popullin.

Shqiptarët, vijoi Kryeministri, ndjehen krenarë që nga vendi i hiperkolektivizimit total, ekonomisë së rrënuar, investimeve të huaja të ndaluara, me të ardhura për frymë 204 dollarë në vitin 1992 dhe papunësisë 80 për qind, është sot vendi që ka pësuar ndryshime rrënjësore, me të ardhura për frymë 8000 dollarë, me rritje 316 për qind të investimeve të huaja, me një ekonomi reale që i rezistoi recesionit.

Presidenti Gorbaçov shprehu kënaqësinë që vizitonte Shqipërinë, duke theksuar se dëshira për të vizituar Shqipërinë ka qenë e hershme. Unë jua kam pasur shqiptarëve borxh këtë vizitë dhe tani e shleva atë, theksoi zoti Gorbaçov. Ai u shpreh se ndjehej i prekur nga mikpritja që i është rezervuar dhe vlerësimet e Kryeministrit dhe shqiptarëve.

Zoti Gorbaçov e përgëzoi Kryeministrin për arritjet e Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe i shprehu Kryeministrit vlerësimin për kontributin në jetën politike të vendit dhe transformimin e tij në këto 20 vjet. Ju jeni një politikan real dhe kjo është e rëndësishme për vendin, u shpreh zoti Gorbaçov.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›