E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gra joshëse dhe të hidhura

Mjedis imoral, tradhëti, pazare seksuale në mesjetë. Nga "Anna Bolena" e Donizettit. Regjisorja Eleonora Paterniti e ftuar për premierën në Tiranë, e vë theksin te jeta e shthurur. Paterniti tregon për libretin e vështirë, rolet unikë dhe rëndësinë e korit


Eleonora e ka ndjerë vetiu muzikën. Ajo e ka thirrur kur ishte 4 vjeçe dhe dëgjonte në gramafon "Madama Butterfly" e Puccinit. "U mblodha kruspull nga emocioni i orkestrës dhe i zërave që dëgjoja" e hap bisedën regjisorja 32-vjeçare Eleonora Paterniti.
Kërkon ta prezantojë lidhjen e saj 14-vjeçare me muzikën, para se të flasë për punën me operën "Anna Bolena".


Vepra është krijuar më 1830-ën nga Gaetano Donizetti, me libret të Felice Romanit dhe vitet e fundit të jetës së Anna Bolenës, gruas së dytë të Henrikut VIII. Një fund tragjik drejt të cilit e shtyn i shoqi, që e akuzon për tradhëti bashkëshortore, inçest, magji.


Për këtë opera janë zgjedhur solistët: Marjana Leka (Anna Bolena), Armando Likaj (Enrico VIII), Vikena Kamenica (Giovanna), Eduard Sokoli (Lord Rochefort), Marco Frusoni dhe Rudin Sata (Lord Percy), Lindita Kola (Smeton), Erlind Zeraliu (Harvey). Skenografinë e operës e ka realizuar Platon Bardhi. Kostumet vijnë nga Sartoria Arrigo-Milano. Dirigjent i Orkestrës është Marco Berdondini. Dirigjent kori Dritan Lumshi.


Opera shfaqet premierë më 6 qershor dhe vijon më 8, 11, 13 qershor, ora 19.00. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kjo opera ka qenë në repertorin e teatrove të Evropës. Më 1957 me këtë rol ka shkëlqyer sopranoja greke Maria Callas, nën regjinë e Luchino Visconit.


Regjisorja Parteniti e ka krijuar Ana Bolenën shqiptare mbi një koncept realist. "Nuk do të bëj çmendurira", thotë shkurt ajo. Ajo ka studiuar dramaturgji operistike, këngë lirike, interpretim, si edhe për instrumente të frymës, perkusion, piano, dhe së fundmi trombë. Në Itali Paterniti angazhohet si muzikante, regjisore operestike dhe krijuese në televizion. Deri më tani ka asistuar në regjinë e operave të Franco Zeffirelli, Giancarlo Del Monaco, Pier' Alli.


Për një kohë të gjatë ka punuar si asistente e Gianluigi Gelmetti, drejtor artistik i Teatrit të Operës në Romës, për operat "Pagliacci", "Tosca", "La fanciulla del Ëest", "Tristan und Isolde", "Missa Solemnis", "La Traviata", "Ëoyzeck".


Para se të vinte në Shqipëri, Parteniti ka shfaqur "Berberin e Seviljes" në "Coliseu do Porto", Portugali. Në intervistën më poshtë ajo tregon gjithçka për realizimin e operës.


Eleonora, je duke ndjekur gjithë vëmendje provat e solistëve me orkestrën. Sa rëndësi ka për regjinë e shfaqjes?


Libreti dhe muzika ecin bashkë gjithmonë. Më duhet të shoh sesi fjalët lidhen me muzikën dhe muzika me fjalët. Donizetti tek "Anna Bolena" e përdor tekstin dhe muzikën në një mënyrë të veçantë.

Duket se Donizetti i jep një rol thelbësor korit?


Në historinë e muzikës kori ndryshon funksionin e tij pikërisht me Bellinin, Rossinin, Donizettin. Më parë kori kishte pjesë margjinale. Ai ka rolin e popullit, pra ka rol kryesor. Por, "Anna Bolena" jonë është ndryshe. Kam parë shumë versione të kësaj opere dhe nuk e kisha të qartë funksionin e korit.


Kori nuk merr pjesë në dhembjen e Anës. Jemi në oborret mbretërore të 1500-ës. Janë ambiente imorale, të qelbura, ku bëheshin pazare seksuale, ku tradhtohej. Kjo është një gjë që duhet të jetë e qartë në shfaqje.

Në ç'mënyrë shfaqet për spektatorin?


Në një mënyrë të thjeshtë. Fillimisht del në skenë kori i burrave dhe pas tyre gratë.
Luajnë dhe veprojnë qetësisht mes tyre. Nuk janë të nevojshme skenat skandaloze. Mjafton që të preken, që burrat të ledhatojnë flokët e grave dhe gratë të arrijnë në mënyrë të paskrupullt, t'i bëjnë burrat për vete.


Kjo gjë i largon këngëtarët nga figura e Anës. Ajo është në shtrat, në gjendje depresive. Figura e saj do të dalë në uverturë dhe pastaj nuk shfaqet më.


Ajo kthehet në finalen e dytë me korin e grave. Burrat nuk janë në krah të Anës. Ata janë shumë të interesuar ndaj objekteve të tyre të dashurisë, grave të tjera. Pra, hutohen dhe joshen nga kori femëror. Ato që nuk do t'i kthejnë krahët Anës janë gratë.


Si janë gratë e 1500-ës tek "Anna Bolena"?


Është e vërtetë që gratë u nënshtroheshin burrave në atë kohë. Dhe ato e dinin këtë. Por, ishin krenare dhe të guximshme. Përçmonin burrat dhe dhimbjen, tradhtonin me vetëdije dhe shkonin drejt vdekjes me kokën lart. Ishin të mbyllura në një çark. E kishin fatin të shkruar. Ishin të dënuara.


Kështu qe edhe fati i Anës. Ajo e dinte mirë që bënte pjesë në një mekanizëm dhe nuk ishte viktimë e tij. Brenda këtij mekanizmi gratë gjenin hapësirën për të jetuar mirë, mes izolimit. I përdornin të gjitha armët e joshjes. Gratë me qafë të bukur e mbanin atë zbuluar, gratë me duar të bukura i mbushnin me stoli për t'i vënë në dukje.


Por sapo ky teatër merrte fund, sapo largoheshin nga burrat dhe gjendeshin në dhomat e mbretëreshës, në dhomat e shthurjes, aty bëheshin të hidhura. Flisnin si burra, tregonin dëshirat seksuale që u lindnin gjatë natës. Bëheshin të egra, mblidheshin tok, trukoseshin mirë. Dilnin nga ato dhoma me një sjellje krejt tjetër. Këtë doja të theksoja në shfaqje.

A i kanë bërë të tyret solistët këto veçori?


Këngëtarët janë treguar të vëmendshëm në zbërthimin realist që i kam bërë kësaj opere. Kam dashur që secili prej personazheve të jetë i veçantë. Edhe role si Smeton, shërbëtori, në rol Lindita Kola, ka personalitet. Dashuron dhe vuan për Anën.


Roshëfori, vëllai i Anës, nuk është një rol dytësor. Familja e saj e ka larguar atë nga lordi Persi, në rol Marco Frusoni, një tenor i zoti që ka punuar me mua gjatë në Teatrin e Operës në Romë. Persi është një kryelartë, guximtar dhe vjen për të kuptuar se çfarë do mbreti nga ai. Ka qenë viktimë e dëshirave të mbretit.


Xhovana, e interpretuar nga Vikena Kamenica, ka një luftë të përhershme me mbretin. Ajo do fronin, do mbretin ashtu siç e donte Ana. Nuk ka brerje ndërgjegjeje. Ka një lojë të madhe mes Enrikos (Armando Likaj) dhe Xhovanës (Vikena Kamenica) dhe do të duket qartë në duetin e tyre. Por nga ajo, Enriko kërkon një trashëgimtar, atë që Ana nuk mundi t'ia jepte.

Po karakteret femërorë a do të spikasin për shkathtësinë, lojën, dredhitë?


Marjana Leka arriti ta kuptonte Ana Bolenën. Në fillim ishte fjalëpakë, kuptonte që diçka po vinte dhe dalëngadalë u ngroh. Sapo kupton lojën, kthjellohet dhe "shkon gjithë kurajë drejt fatit të saj". Leka arrin ta bëjë këtë.


Vikena hyri menjëherë në rol, si në marrëdhënie me mbretin, ashtu edhe me Anën. Shumë i zoti është edhe Enriko, në rol Armando Likaj. Ai qesh me të tjerët. Atij nuk ka ç'i duhet kuraja që kërkojnë të tjerët, sepse në fund të fundit, është ai që komandon. Është kopja mashkullore e Xhovanës. Ngjajnë si dy pika uji. Janë të tmerrshëm.


Meqenëse ke studiuar një dekadë muzikë, sa ke arritur t'i mbash në ekuilibër muzikën dhe interpretimin?


Libreti shfaq vështirësi në metrikë. Më duhet ta pranoj se nuk është ndër libretet më të bukur të historisë së operës. Muzika është shumë e bukur. Unë kam punuar mirë me të gjithë, por arritje ishte bashkëpunimi me drejtorin e Orkestrës, Markon. Ne i kemi bërë të gjitha provat së bashku. Jo të gjithë dirigjentët e bëjnë këtë.
Kurse interpretimi është gjithçka në një opera.


Si mendon një regjisor t'i japë freski veprave mbi një epokë të largët?


Duke e menduar vënien në skenë të kësaj opere në mënyrë të thjeshtë dhe realiste vetiu opera është e freskët.


Duke studiuar "Ana Bolenën" më shkoi mendja tek historia e Ledi Dianës dhe të gjitha historive të tilla që na rrethojnë. Historia përsëritet. Më pëlqen që publikut të shohë në skenë një ngjarje ose të jetuar, ose që e njeh dhe të kuptojë sesi lidhet gjithçka, kthehet në moderne.


Po ashtu skenografia është thelbësore. Platon Bardhi ka arritur që me pak elementë t'i japë kuptim. Unë me të kam punuar edhe herë të tjerë. E kupton shpejt se çfarë mund ta bëjë më të bukur një regji opera.

Përse kujtove Ledi Dianën?


Kur shpie në mendje historinë shoqërore, politike, mendoj që ne nuk do ta dimë kurrë të vërtetën e shumë gjërave. Në këtë opera Ana betohet dy herë që nuk ka tradhtuar. Por kurrë nuk u mor vesh e vërteta.


Mendova për Ledi Dianën sepse gjeja shumë elementë të njëjtë në biografinë e të dyjave dhe shumë të ndryshëm sigurisht. Edhe për të nuk do ta dimë kurrë të vërtetën. Nuk është e thënë të dihet e vërteta.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›